Mustafa:Nesër është ditë feste, dita e librave nga Shqipëria në shkollat e Luginës
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa para pak çastesh përmes një postimi në rrejtin e tij social facebook ka njoftuar se ditën e nesërme do të arrijnë librat e shumëpritura nga Shqipëria, transmeton Ministria e Lajmeve.
Z.Mustafa ditën e nesërme e ka cilësuar si ditë të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Kjo ëndërr e përbashkët ishte zotim ynë para dy vitesh. Ishte ëndrra ime fëmijërore. Ëndrra e brezave para dhe pas meje.”- ka shkruar kryetari i KKSH’s
Postimi i plotë :
NESËR ËSHTË DITË FESTE, DITA E LIBRAVE NGA SHQIPËRIA NË SHKOLLAT E LUGINËS!
Të nderuar bashkëkombas të Luginës së Preshevës.
Dita e nesërme është ditë e veçantë për Luginën e Preshevës.
Nesër, nxënësit e shkollave fillore në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës do të pajisen me libra shkollorë nga Republika e Shqipërisë.
Kjo ëndërr e përbashkët ishte zotim ynë para dy vitesh. Ishte ëndrra ime fëmijërore. Ëndrra e brezave para dhe pas meje.
Nesër, ende pa u mbushur 24 muaj nga ky zotim, nxënësit shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjë pajisen me librat me të cilët mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.
Të respektuar qytetarë,
Nesër, Këshilli Kombëtar Shqiptar do t’i shpërndajë falas për të gjithë nxënësit që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.
Librat shqip. Librat falas. Librat nga më cilësoret në Evropën Jug-lindore.
Gjithsejt 4052 nxënës me rreth 4000 prindër të liruar nga barra financiare.
Me këtë rast, shpreh një falenderim të veçantë për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës, që kontribuan me rreth 140.000€ për financimin e librave në Luginën e Preshevës
Por sonte dua ta falenderojë sidomos Ministren e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, znj.Besa Shahini, e cila e ka një meritë të veçantë në sigurimin e librave nga Shqipëria për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Faleminderit Besa për gjithçka që bëni për arsimin në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës. Mirënjohës përjetësisht, në emër të të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës!
Falënderoj Ministren e Financave të Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami për mbështetjen dhe reagimin e shpejt për mbledhjen e fondit.
Falenderim edhe për Ministrinë e Arsimit në Beograd, e cila dëshmoi se kur mbizotëron vullneti politik dhe qasja konstruktive, mund të zgjidhen problemet më jetike të qytetarëve.
Faleminderim edhe Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për mbështetjen për kryerjen e obligimit rreth taksës.
Falenderoj po ashtu të gjithë partnerët ndërkombëtarë për kontributin e tyre, si OSBE dhe ambasadat mike të Luginës së Preshevës të akredituara në Beograd.
Sigurisht, Falënderit Albas dhe gjithë të tjerëve që ndihmuan këtë përpjekje.
Të dashur shqiptarë,
Nesër është ditë Feste në Luginën e Preshevës.
“I have a dream today”, thoshte Martin Luther King nga shkallët e Lincoln Memorial, gjatë marshit drejt Washingtonit më 1963. Ky mesazh universal është nesër me ne: “Sot kam një ëndërr”
Andaj edhe Ju ftoj, nesër, bashkëqytetarë, vullnetarë, aktivistë, të zgjedhur,media dhe organizata joqeveritare, të festojmë bashkërisht duke i shpërndarë tekstet mësimore nga Republika e Shqipërisë për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Kjo është dita jonë. Kjo është festa jonë!
Urime!