Mustafaj: Kemi strehuar 3 mijë muxhahedinë iranian, jemi në rrezik
Ish-ministri i jashtëm, Besnik Mustafaj, ka thënë se Shqipëria është vendi më i ekspozuar në Ballkan ndaj rrezikut nga përplasja Amerikë-Iran.
“Shqipëria rrezikohet sigurisht, por Irani nuk ka përmendur vende evropiane, por vetëm vende të rajonit të tyre që janë aleatë të SHBA. Ne jemi vendi më i ekspozuar në Ballkan, sepse kemi strehuar 3 mijë muxhahedinë. Kam shumë frikë. Agjencitë tona Kombëtare kanë kapacitete jo të mëdha për të hetuar rrezikun që mund të vijë për këtë gjë”, ka thënë Mustafaj në “News24”,transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit, i cili ishte një nga figurat kryesore në fushën e shërbimeve sekrete. “Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit dhe kjo nuk harrohet lehtë prej tyre. Irani e dërgoi në Shqipëri dhe kjo do të thoshte se ata e kishin në vëzhgim Shqipërinë dhe rolin e muxhahedinëve këtu. Shqipëria duhet me patjetër të komunikojë me aleatët, të kërkojë ndihmë prej agjencive kombëtare të aleatëve pasi ne jemi vend i NATO dhe aleat i SHBA dhe mund të shkëmbejë informacione apo t’u kërkojë ndihmë”, ka thënë ndër të tjera Mustafaj.