Të fundit

Mustafa: Serbia të zbatojë marrëveshjen, të ndërtoj spitalin në Luginë të Preshevës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa ka vazhduar të këmbëngul në kërkesën rreth ndërtimit të një spitali në Luginë të Preshevës, marrë parasysh gjendjen e rëndë dhe mangësitë që ka shfaqur sistemi shëndetësor edhe gjatë kohës së pandemisë.

Ai në një postim të tij për nder të ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ka nënvizuar edhe njëherë nevojën e një spitali apo kujdesin sekondar shëndetësor në Luginë të Preshevës. Një gjë e tillë e nënshkruar edhe nga vet qeveria e Serbisë në planin 7 pikësh me krerët politik shqiptar.

Një gjë të tillë ai e kishte potencuar edhe në disa media lokale, mediat në Kosovë e Shqipëri.

Ky është postimi i tij

SERBIA TË ZBATOJË MARRËVESHJEN, TË NDËRTOJ SPITALIN PËR QYTETARËT E LUGINËS SË PRESHEVËS

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut – dita kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi, në 1948, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Ky dokument historik që shpall të drejtat e patjetërsueshme për të cilat të gjithë kanë të drejtë si qenie njerëzore – pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, seksi, gjuha, mendimi politik ose mendimi tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, prona, lindja apo statusi tjetër.

Përhapja e koronavirusit edhe në Luginën e Preshevës ka pasqyruar se Serbia shtetërore nuk ka krijuar mundësi të barabarta për të gjithë.
Gjithashtu, jo gjithë profesionistët, kanë guximin të adresojnë dështimet e ekspozuara nga COVID-19 në sistemin e brishtë të mbrojtjes shëndetësore dhe të zbatojmë standardet e të drejtave të njeriut për të trajtuar pabarazitë e rrënjosura e sistematike, përjashtimin dhe diskriminimin ndër gjenerata.

Të Drejtat e Njeriut duhet të jenë epiqendër e reflektimit, gjatë e pas krizës me COVID-19, që ka thelluar varfërinë, rrit pabarazitë dhe ka rrënjosur diskriminimin strukturor.

Barazia dhe mos-diskriminimi janë kërkesat thelbësore edhe për të ardhmen post-COVID.

Përveç që duhet të angazhohemi dhe mbrojmë të drejtat themelore, ekonomike, sociale dhe kulturore. Duhet të kërkojmë edhe të drejtën për mbrojtje shëndetësore që buron edhe nga “Planin 7 pikësh”(2013) të aprovuar nga vetë Qeveria e Serbisë.

Andaj ftojë Qeverinë e Republikës së Serbisë të zbatojë këtë marrëveshje e ndërtoj spitalin e nevojshëm e të domosdoshëm edhe për qytetarët e Luginës së Preshevës.

Shëndeti është e drejtë themelore e njeriut që nënkupton Serbia duhet të sigurojë qasje në kujdesin shëndetësor në kohë, të pranueshëm dhe të përballueshëm me cilësi të përshtatshme për të gjithë.

Shteti është i obliguar të realizojë shpërndarjen, sigurimin e burimeve dhe shërbimeve shëndetësore. Lugina kërkon që të gëzojë të drejtën për shëndet edhe si masë kundër diskriminimit dhe pabarazisë edhe si masë për të mundësuar qasje në përkujdesjen shëndetësore.