Të fundit

Mustafa për 33 vjetorin e Referendumit të vitit 1992: Neve në Luginë na ka mbetë vetëm një shpresë dhe ajo është ideja e Thaçit pro bashkimit me Kosovën


Zëvendës kryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa, vjen me një reagim sot në 33 vjetorin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992.

Më posht mund ta lexoni postimin e plotë :

Me rastin e 33 vjetorit të mbajtjes së Referendumit për Autonomi Politiko-Territoriale me të drejtë bashkangjitje Kosovës, PDSH-ja, kujton këtë datë me rëndësi jetike për popullatën autoktone shqiptare të Luginës së Preshevës, të populluar me shumicë absolute shqiptare.
Këto tri komuna shqiptare të shkëputura padrejtësisht nga trungu i Kosovës historike, u ndanë dhe u aneksuan nga Serbia.
Para 33 viteve, për dy ditë rresht në vitin 1992, populli shqiptar i komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, e dha verdiktin e tij, duke dalur masivisht në kutiat e votimeve, duke u shprehur pro bashkangjitjes së këtyre tre komunave Kosovës.
Ky Referendum ishte një akt sublim, i cili u mbajt nën kushte tejet të rënda, lirisht mund të shprehemi në një gjendje të jashtëzakonshme, nën rrethim të çelikosur të forcave policore të pushtetit të atëhershëm, por vullneti i popullit i tejkaloi të gjitha vështirësitë e barrierat e krijuara nga pushteti, i cili si duket nuk e mori seriozisht këtë dëshirë të flaktë, të arsyeshme dhe të drejtë të popullatës, të cilët e dhanë mendimin e tyre pro ribashkimit të kësaj pjese të shkëputur nga Kosova.
Të dashur qytetarë të komunës së Preshevës, duke e rikujtuar këtë datë, e cila vulosi një histori të shqiptarëve të këtyre tre komunave, medoemos duhet kujtuar edhe kontributin e madh që dha PDSH-ja në organizimin e Referendumit, e cila në asnjë çast nuk u ndal së punuari në jetësimin e verdiktit të popullit, nuk u ndal poashtu edhe në sensibilizimin e të drejtave kolektive të popullatës sonë, në secilin segment të jetës.
Plot 33 vite pritëm që të jetësohet ky plebishit i sovranit. Plot 33 vite të persekutuar nga regjimet e njëpasnjëshme “demokratike ” të politikës shoviniste serbe. E tërë Lugina është kthyer me sy e veshe nga Kosova duke shpresuar në jetësimin e tij.
Neve në Luginë na ka mbetë vetëm një shpresë që do të jetë rreze drite për jetesimin e referendumit dhe ajo eshte idea e Presidentit Thaçi pro bashkimit të Luginës.
Urojmë më të mirën për shqiptarët e Lugines, bashkimin me Kosovë!
Urime shqiptarë!
R.M