Mustafa: Mediat në gjuhën shqipe në Luginë të diskriminuara dhe pa fonde
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka marr pjesë në video-konferencën e organizuar nga OSBE dhe NUNS, ku edhe u prezentua raporti “Media në gjuhët e pakicave kombëtare – hulumtim dhe analizë”, raporton rtvp
Pas konferencës, Ragmi Mustafa ka publikuar njoftimin rreth diskutimit të tij:
Pata kënaqësinë të jem pjesë në video-konferencën e organizuar nga OSBE dhe NUNS, ku edhe u prezentua raporti “Media në gjuhët e pakicave kombëtare – hulumtim dhe analizë”
Para një auditoriumi prej më se 100 profesionist të fushës, si vendor e ndërkombëtar theksova se sa i përket mediave në gjuhët e pakicave, në veçanti në gjuhën shqipe nuk kemi zgjidhje të mirë e sistemike. Kanë humbur përmbajtje mediatike si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia pas procesit të privatizimit të mediave komunale.
Sot kemi shumë më pak fonde, komunale dhe republikane, për përmbajtjet në gjuhën shqipe dhe shumë më pak cilësi të informacionit në nivelin lokal. Skena e mediave lokale në gjuhën shqipe nuk është më e avancuar sot sesa ishte, 5 ose 6 vjet më parë.
Bëra thirrje që kjo situatë të përmirësohet, kërkova nga Ministria e Kulturës dhe të gjitha komisionet e konkursit që t’i kushtojnë vëmendje shpërndarjes së drejtë të fondeve publike.
Nuk është reale dhe e pranueshme që një media të marrë 2/3 të të gjitha fondeve për mediat e pakicave, edhe nëse do të ishte më e mira në botë dhe mund të shkruante projektet më të mira (p. sh. RTV VRANJE; RTV Bujanovac). Apo edhe pretendimet e RTS se emiton përmbajtje në gjuhën shqipe janë qesharake e jo profesionale.
Duhet ndryshuar qasja. Më shumë fonde, më shumë profesionalizëm e profesionist për mediumet e Luginës.