Mustafa: Më mirë të gjejmë zgjidhje për presidentin sesa të shkojmë në zgjedhje
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë të martën para mediave se në fillim të dhjetorit apo në ditët në vijim pritet të organizojë një takim me subjektet tjera politike për të diskutuar çështjen e presidentit.
“Sipas opinionit tonë është më mirë që çështja të zgjidhet tani sesa të shkojmë në zgjedhje dhe ta përsërisim edhe një herë situatën e njëjtë”, ka deklaruar Mustafa.
Ai nuk ka pranuar të komentojë pyetjet nëse kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj do të jetë kandidat për president.
Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës në fillim të muajit nëntor, pas aktakuzës që i është konfirmuar në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Aktualisht pozitën e presidentit e ushtron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.