Lajme

Mustafa: LDK-ja do të dalë edhe më e fuqishme në këto zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, nëpërmjet një urimi në Facebook për anëtarësinë në përvjetorin e themelimit të LDK-së, ka folur edhe për situatën aktuale të krijuar pas vendimit të Kushtetueses që konsideroi se Qeveria Hoti është e kundërligjshme.

Mustafa, thotë se Kosova këto ditë po përballet me sfidën e pandemisë, ku LDK-ja së bashku me kuadrot e veta po mundohet që të japë maksimumin për ta tejkaluar edhe këtë gjendje.

“LDK-ja aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe do të jetë përgjegjëse dhe e përkushtuar që t’i kryej detyrat kushtetuese deri në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme. LDK pati guximin dhe vetëdijen për të dalë në ballë të proceseve të mëdha, në kohët më të vështira, prandaj jam shumë i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme në bashkëpunim me të gjitha strukturat elektorati i LDK-së do të angazhohet për rezultatin më të suksesshëm. Nga këto zgjedhje LDK do të del edhe më e fuqishme, duke e respektuar votën dhe vullnetin qytetar”, thotë Mustafa në këtë adresim.

LDK-ja, thotë Mustafa, i përkujton dhe u është përherë mirënjohëse të gjithë veprimtarëve të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për të mbrojtur bindjet dhe idealin e tyre për një shtet të lirë dhe demokratik.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdoj të jetë formacioni kryesor politik në vend. Të gjitha interesat e shtetit të Kosovës do të jenë prioriteti kryesor i politik bërjes së LDK-së, prandaj krejt në fund urime të gjithë anëtarësisë dhe qytetarëve të Kosovës”, përfundon Mustafa.