Mustafa: Kush janë armiqtë e demokracisë?
Ato që mund ta shpëtojnë interesin publik janë qytetarët aktiv dhe militantët të cilët militojnë intelektualisht për të mirën publike, veç si të tillë mund të përmbushim idealet e demokracisë. Qytetari aktiv së bashku me militantët e vërtetë dhe të formësuar intelektualisht mund ta ndryshojë realitetin e demokracive të brishta, për t’i shndërruar ato nga demokracitë minimale në demokraci politike
Nga Latif MUSTAFA
Më 15 shtator është dita e ndërkombëtare e demokracisë. Kjo ditë, siç mund të jenë edhe ditët tjera të vitit normalisht, mund të jetë një moment i mirë për të reflektuar rreth demokracisë në vend dhe gjetiu, tani më kur kemi shkelur në dekadën e katërt të post-socializmit. Demokracia, më shumë se sa një mekanizëm qeverisjeje, do të duhej të diskutohej edhe si frymë dhe ideal i papërfunduar. Mungesa e debatit rreth demokracisë është edhe mungesë e shqyrtimeve rreth tipologjisë së qytetarit në sisteme demokratike. Demokracia është angazhim publik dhe identiteti dhe përkatësia politike e qytetarit.
Qytetar quhet individi i cili është i lirë dhe i aftë të merr qeverisje. Qeverisja është funksionimi aktiv i një shteti. Demokracia, në anën tjetër, është mekanizimi më i efikas në delegimin e legjitimitetit politik nga i qeverisuri tek qeverisja. Qytetaria ndahet në qytetari aktive dhe pasive. Qytetari pasiv është ai i cili angazhimin e tij politik e realizon në saje të votimit të tij në afate ciklike me ç’rast legjitimon një pushtet të caktuar politik; përmbush misionin e demokracisë si përfaqësim dhe mbron parimet dhe ligjet e shtetit. Qytetari aktiv, përpos votimit, është i angazhuar politikisht përmes medieve, shoqërisë civile dhe iniciativave të grupeve jo formale, për të kontribuar në debatin e përgjithshëm shoqëror. Ky qytetar është produkt i njëmendtë i demokracisë. Ai është imazhi i vërtetë i demokracisë dhe përkatësisë qytetare.
Deri këtu gjithçka tingëllon bukur. Në shtetet demokratike, gjegjësisht, demokracitë përfaqësuese kanë krijuar partitë politike të cilat garojnë në zgjedhje dhe vihen në “gjueti” të vullneteve politike dhe votës së qytetarit pasiv, i cili ky i fundit siç ndodh rëndom nuk interesohet shumë për çështje publike. Partitë politike, të vetëdijshme për dobitë e nomenklaturës së pushtetit, fuqisë politike që të ofron dhe mekanizimin e dhunës legjitime që veç shteti e disponon, bëjnë një garë të ashpër. Në mungesë të ideve të mirëfillta për progres shoqëror dhe plotësimin e idealeve të demokracisë, ato kanë zbuluar teknikat e manipulimit të opinioni publik. Këto teknika janë një lloj amalgame dhe konvergjim i propagandës, indoktrinimit, reklamës , teknika këto të cilat vihen në një gjah të butë dhe subtil ndaj vullneteve naive. Këto metoda rëndojnë edhe më tepër pafuqishmërinë e qytetarit të lirë i cili përpiqet me naivitet të ndikojë në qeverisjen dhe hapësirën publike. Pas një kohe relativisht të gjatë, mbase më në fund, arrinë ta kuptojë dhe honeps faktin se bindjet dhe opinionet e tij janë thjeshtë produkt i një sistemi më të gjerë manipulimi, dhe kritikës së tij publike. Sistemi anticipon në bindjet tona.