Mustafa-Kurtit/ Poshtërove LDK-në, tash hiqe tarifën dhe riktheje në punë Agim Veliun
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka injoruar dhe poshtëruar LDK-në, pas kërkesës së tij drejtuar shefit të ekzekutivit për heqje të tarifës.
Mustafa ka publikuar në Facebook një letër që i ka dërguar Kurtit të hënën, e përmes së cilës i kërkoi kryeministrit që të heqë tarifën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Por, siç shkruan Mustafa, reagimi i Kurtit ka poshtëruar LDK-në.
Përgjigjen që e mora nga Kryeministri Kurti, më 18 mars ishte shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë”, shprehet Mustafa në shkrimin e tij
Pyes, juve qytetarë të nderuar, edhe disa nga juve perfaqësues të korit diplomatik, por edhe dy tre deputetë të LDK-së: A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë?”, ka shkruar Mustafa. “Ju pyes, çfarë vendimi tjetër do të duhej të merrte LDK, kur kaq keq injorohet dhe poshtrohet nga Kryeministri i vendit?”.
Mustafa ka thënë se teksa ai është “shumë i brengosur për njerëzit tanë”, Kurti është “avanturier”.
Unë nuk jam i ri të ndikohem nga të tjerët e as avanturier. Jam shumë i brengosur për njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi. Dua që unë dhe partia ime të japë çdo gjë dhe ta fitojmë betejën ndaj këtij virusi”, ka thënë kreu i LDK-së.
Ai i ka bërë thirrje Kurtit që të heqë tarifën dhe ta rikthejë Agim Veliun në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifë, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së ti kërkoj falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët.
Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, ka nënvizuar Mustafa.
Letra që Isa Mustafa ia dërgoi Albin Kurtit më 16 mars:
Të nderuar qytetarë
Të nderuar partnerë të koalicionit qeverisës
Po e bëj publike adresimin që ia kam bërë Kryeministrit Kurti, më 16 mars të këtij viti. Katër ditë pasi që në zyrën e tij, së bashku me z. Vjosa Osmani, Kryeparlamentare dhe z. Avdullah Hoti, zv. Kryeministër ia bëmë me dije se mosheqja e tarifës dhe ashpërsimi i marrëdhenieve me SHBA-të do ta sjellë në pikëpyetje koalicionin tonë. Në vijim adresimi:
“I nderuari Kryeministër, Kurti
Si partner i koalicionit, unë dhe drejtuesit tjerë të LDK-së ndajmë bindjen se nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të. Se duhet ta heqim tarfën dhe Qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog. LDK ka mbështetur Rezolutën në Kuvend për dialogun dhe nuk do të mbështes në asnjë rast një marrëveshje që prek kufijtë dhe organizimin e brendshëm.
Ne nuk mund të rrezikojmë partneritetin me SHBA-të, për shkak të tarifës.
Prezenca e fuqishme e SHBA-së në Kosovë është jetike për vendin tonë. Kemi probleme të mëdha me virusin Covid-19. Këtë betejë duhet ta fitojmë bashkërisht.
Nuk e kemi bërë koalicionin për ta prishur, po për të bërë ndryshime. Prandaj të lutem për mirëkuptim që tarifa të hiqet gjatë kësaj jave. Mos e kupto këtë si kërkesë të njëanshme por si interes të përbashkët.
Nese vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor.
Për këtë do ta njoftoj edhe Ambasadorin Grenell.”
Me respekt,
Isa Mustafa