Të fundit

Mustafa kërkesë ministres serbe të ndalojnë diskriminimin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka marrë pjesë sot në takimin e Këshillave Kombëtare në Serbi dhe ministren për të Drejtat e Njeriut, Minoritetet dhe Dialog, Gordana Çomiq.
Përmes postimit në Facebook, Mustafa ka theksuar se ka kërkuar nga qeveria zbatimin e “ Planit 7 pikësh “, zgjidhjen e problemit me përdorimin e simbolit kombëtar, informim në gjuhën amtare përmes transmetuesit publik, ndalimin dhe gjykimin e gjuhës së urrejtjes nga zyrtarët shtetëror, etj.

Postimi i plotë i Mustafës:

Sot, në takimin e përbashkët me Ministren për të Drejtat e Njeriut, Minoritetet dhe Dialog Shoqëror, znj. Gordana Çomiq, kërkova që Qeveria ta zbatojë “Planin 7 pikësh” të miratuar nga Qeveria e Serbisë më vitin 2013.
Në prani të të gjitha Këshillave Kombëtare të Pakicave Nacionale ftova znj. Çomiq të distancohet nga gjuha e urrejtjes e fyerjeve të përditshme të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Aleksandër Vulin.
Legalizimi i përdorimit të flamurit kombëtar do të ishte hap përpara sepse nuk i takon shtetit të përcaktojë veçoritë dhe simbolet kombëtare të komuniteteve pakicë.
Gjithashtu, nënvizova se ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë është antikushtetues. Pasivizimi i vendbanimeve është jo vetëm selektiv, por edhe duhet të ndalet duke i rikuperuar ata që janë fshirë nga regjistrat civil.
Regjistrimi i popullsisë në prillin e vitit të ardhshëm mbetet një sfidë për shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkova të largohen të gjitha pengesat nga viti 2011 dhe të krijohen kushtet optimale për regjistrim edhe të shqiptarëve.