Opinione

Murati: Propozimi i Thaçit për shkëmbim territoresh ishte një dritare e hapur për zgjidhjen e problemit me Serbinë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka folur për zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut dhe takimin e radhës në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic.

Murati ka thënë se Serbia e ka Asociacionin si një kartë të fortë, ndërkohë që Kosova në parim e ka pranuar, edhe pse ende s’është pajtuar se si do të duket.

“Serbia e ka kartë të fortë Asociacionin. Qeveria jonë në parim e ka pranu, por jo se si ai do të duket. Kryeministri jonë, qoftë qeveria, s’kanë ndonjë opsion se çfarë tutje”, ka thënë Murati në T7.

I pyetur për emërimin “propozim modern” për Asociacionin, Murati ka thënë se emri mund t’i vendoset çfarëdo, por është e rëndësishme që të shihet se si funksionon në Kosovë.

“Emrat mund të vendosim të çfarëdoshëm, por duhet parë si funksionojnë në terren. Ne po shkojmë drejt acarimit të raporteve. E natyrshme do të ishte që edhe nëse ska dakordim, tensionet të bien. Këtu kur palët janë dakorduar, situata ka shkuar duke u tensionuar”, ka potencuar ai tutje.

Sipas tij, edhe takimi i radhës në Bruksel në mes të Kurtit dhe Vuçiqit do të jetë një “lojë fajësimi”.

“Për ta vazhduar lojën e fajësimit, kush do të fitojë më shumë poena”, ka theksuar kreu i LB_së.

Murati tutje ka thënë e keqja e gjithë këtij procesi, është që Kosova s’ka pasur guxim që në mënyrë konsitente të vendosë si kundërpeshë për Asociacionin kërkesat për shqiptarët e Luginës. Ai thotë se marrë parasysh në gjërat që janë thënë muajt e fundit, ata janë harruar dhe flitet vetëm për Veri.

Politikani kosovar kujton vitet 2018-2019 gjatë kohës kur Hashim Thaçi ka qenë president, duke thënë se ideja e korrigjimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve e propozuar nga Hashim Thaçi ishte një dritare e hapur për të zgjidhur problemin. Megjithatë thotë se mbase atë kohë Thaçi si president s’diti ta prezantojë para publikut ashtu siç duhet.

“E keqja e këtij procesi, është se në vazhdimësi ne s’kemi pasur guxim që në mënyrë konsistente si kundërpeshë parimore ta vendosim çështjen e shqiptareve të Luginës, përderisa e kemi obligim si Kosovë që të merremi me ta. Për më tepër i kemi harruar. Në diskursin e muajve të fundit flasim për Veriun. E kemi pasur një moment të artë në vitin 2018-2019 kur Thaçi e proklamoi idenë e korrigjimit dhe shkëmbimit. Ishte dritare e hapur për ta zgjidhur këtë problem. Ndoshta presidenti Thaci nuk e prezantoi mirë në opinion publik, pro e ka meritën që pati guximin të hyjë në një projekt. Do të ishim në një stad tjetër nëse do ta zgjidhnim këtë problem. S’ka kuptim të bisedojmë prej vitit 2013 vetëm për serbët”, ka thënë Murati.