Sporti

Mund Mesin me xhonglime/ Reali merr 13-vjeçarin shqiptar

Quhet Olghe Balliu dhe cilësohet si Lionel Messi i ri. Në Çitadela, qyteti ku jeton djaloshi me origjinë shqiptare janë të bindur se kanë në duar një fenomen.

Olghe u bë i famshëm në rrjet pasi në një video shfaqet djali që mban me këmbë për 198 herë një top tenisi.

“Messi e ka mbajtur vetëm 180 herë”, thotë babai i tij, autor i videos dhe më pas i publikimit të saj.

Olghe, i gjatë 145 cm është një nga shtatë futbollistët e vegjël të seleksionuar nga Reali Madridit gjatë turneut të klubit “los blankos” në Itali.

Gjithsesi siç shkruan edhe e përditëshmja “Corriere del Veneto”, ai mund të bashkohet me gjigandët e futbollit europian vetëm pasi të mbushë 13 vjeç.

“Olghe e ka trashëguar pasionin për futbollin nga babai. Që i vogël nuk e ndante topin nga këmbët dhe që në moshën 5-vjeçare bënte xhonglime. Idhulli i tij është Messi, pasi ka fizikun e tij. Cristiano Ronaldo është shumë i ndryshëm edhe pse Olghe është tifoz i Juventusit. Pas seleksionimit nga Reali Madridi jemi shumë të lumtur, por edhe kemi pak frikë. Ka shumë entuziazëm, por duhet të shohim nëse ka të ardhme”, ka thënë Mimosa Balliu, mamaja e futbollistit 13-vjeçar që për momentin luan me skuadrën e moshave të Çitadelës.