MSHK: Mërgimtarët s’kanë nevojë për testin PCR
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka treguar se kush duhet të karantinohet për 7 ditë.
Mërgimtarët që kanë mësyrë Kosovën dhe kanë vendbanim, nuk do t’i nënshtrohen testit PCR për koronavirus me rastin e hyrjes në vend, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, të dielën duke shtuar se testi negativ PCR u kërkohet vetëm njerëzve që s’kanë vendbanim në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë.
Qytetarët e Kosovës që vijnë në Kosovë, nuk do t’i nënshtrohen as karantinimit apo izolimit 14-ditor. Karantinimi vlen vetëm për ata që s’kanë vendbanim në Kosovë dhe që vijnë nga shtetet me rrezik të lartë. Ata duhet të vetizolohen për shtatë ditë.
“Qytetarët të cilët nuk kanë vendbanim në Kosovë me rastin e hyrjes në Kosovë, e kanë testin e bërë në vendin prej nga vijnë, ndërsa ata që nuk e kanë këtë vetizolohen për shtatë ditë si masë kujdesi dhe në rast se manifestojnë shenja të pranisë së virusit, e kanë mundësinë që, sipas indikacioneve mjekësore të testohen në institucione publike, sikurse çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në një njoftim për media.
Këtë fundjavë Kosova ka nisur të mbushet me bashkatdhetarët që duan të kalojnë festat e fundvitit në Kosovë.
Vetëm të shtunë, vetëm përmes Aeroportit të Prishtinës, kanë ardhur rreth 10 mijë bashkatdhetarë.
Shumë të tjerë kanë shfrytëzuar rrugët tokësore. Ata po presin dhjetëra orë nëpër kufij në rrugën drejt Kosovës.