Kryesore

Mrekulli mjekësore në spitalin e Nishit: Herolinda Kastrioti i mbijeton dy operacioneve të rëndësishme në zemër

Herolinda Kastrioti, vajzë 25-vjeçare nga rrethina e Bujanocit, është rikthyer drejt jetës falë një ndërhyrjeje të jashtëzakonshme mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Nishit. Ajo u pranua më 6 tetor 2025 në gjendje tepër të rëndë, me insuficiencë të rëndë të zemrës dhe me infeksion të përhapur në organet vitale. Pas ekzaminimeve urgjente, mjekët konstatuan defekt në septumin e zemrës, endokardit infektiv të valvulës aortale me gradë maksimale të dëmtimit, si dhe përhapje të infeksionit me gjak deri në shpretkë, ku ishte formuar një absces që e kishte futur paciente në gjendje të rëndë sepsë, shkruan Blic.rs, përcjell LUGINALAJMI.

Sipas postimit të kardiokirurgut të njohur Dr. Dragan Miliq në rrjetin X, kjo ishte “një nga ato histori që e bëjnë mjekësinë dhe sidomos kirurgjinë të veçantë”, duke shtuar se pacientja kishte qenë e trajtuar më parë edhe në qendra të tjera në vend dhe jashtë tij, por në Nish ishte pranuar në një gjendje tejet kritike. Ai shkroi se ekipi mjekësor realizoi dy operacione jashtëzakonisht delikate: riparimin e defektit në septumin e zemrës dhe zëvendësimin e valvulës aortale me mekanike, ndërsa më pas u hoq edhe shpretka e infektuar si dhe një shpretkë shtesë e rritur në pankreas. Pas dy muajsh të tërë beteje të vështirë, Herolinda doli nga terapia intensive në gjysmë-intensive dhe sipas Dr. Milić, shumë shpejt do të kthehet në shtëpi pranë familjes dhe vajzës së saj të vogël. Në fund të postimit, ai shprehu krenarinë e tij të madhe për ekipin me të cilin punon prej 15 vitesh, duke theksuar se profesionalizmi, përkushtimi dhe vendosmëria e tyre për të mos u dorëzuar kurrë, edhe në rastet më të vështira, është ajo që i shpëton pacientët dhe u jep shpresë njerëzve në momente vendimtare. Falë këtij angazhimi të jashtëzakonshëm, Herolinda Kastrioti sot po i rikthehet jetës me mirënjohje të thellë dhe me një histori frymëzuese për gjithë komunitetin./luginalajm