“Monstra”, Fatime Fetai kërkon burgim të përjetshëm për Alil Demirin, Agim dhe Afrim Ismailoviqin
Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për Alil Demirin, Agim dhe Afrim Ismailoviq, të akuzuar në rastin “Monstra”. Për Fejzi dhe Haki Azirin, prokurorja Fatime Fetai kërkoi dënim maksimal. Të gjithë i ndjek për veprën terrorizëm dhe ndihmë të terrorizmit. Për të akuzuarin Sami Luta është tërhequr akuza për shkak të mungesës së provave.
Përveç dënimeve të parapara maksimale për këto vepra penale, burgim të përjetshëm për Alil Demirin, Afrim dhe Agim Ismailoviq, pesëmbëdhjetë vjet burgim siç parashikon dispozita për vepër të përsëritur penale mund t’i shqiptohet Fejzi Azirit, mes nëntë dhe dhjetë vjet burg në bazë të dispozitave për zbatimin e veprave të përsëritura mund t’i shqiptohet Haki Azirit. Për ngjarje të tillë, si prokuror por edhe si njeri dhe qytetar i këtij vendi, nuk besoj se një dënim tjetër do të arrinte qëllimet e dënimit- deklaroi Fatime Fetai, Prokurore.
Fetai theksoi se të akuzuarit nuk janë terroristë, por kryen një akt terrorist me vrasjen në Liqenin e Smillkovës. Me siguri konflikti dhe destabilizimi i shtetit ka qenë motivi i të akuzuarve, tha organi i akuzës. Viktimat është dashur të jenë maqedonas dhe kjo do të çonte në acarimin e marrëdhënieve ndëretnike, tha prokuroria.
“Kjo ngjarje lehtë ka mundur të shkaktojë konflikt të ri me viktima të pafajshme, një ngjarje që rriti mosbesimin dhe urrejtjen midis etnive maqedonase dhe shqiptare dhe është fryrë me teza të pambështetura si “Pashka e përgjakshme “, që pa dyshim ka pikë kontakti me kohën e ekzekutimit dhe efektet që kanë dashur t’i arrijnë autorët- deklaroi Fatime Fetai, Prokurore.
Avokatja Dafinka Ivanovska, përfaqësuese e familjeve të të vrarëve, është e kënaqur me qasjen e prokurorëve. Ata kanë specifikuar shumë gjëra që ishin gabim në gjykimin e mëparshëm, ndërsa bombat e paralajmëruara nga politikanët, përfshirë Kryeministrin Zoran Zaev, nuk kanë zbuluar asgjë.
“Ato bomba apo biseda të përgjuara nuk kontribuan për një situatë faktike të ndryshuar për kryerjen e kësaj vepre- pohoi Dafinka Ivanovska, Avokat i Familjeve.
Prokurorja Fetai vuri në dukje se nuk janë të vërteta thashethemet që e shoqëruan këtë rast – vetura Opel Omega nuk ishte e imponuar dhe nuk është shfrytëzuar nga policia. Në këtë rast nuk ka asnjë përfshirje edhe të ish-kryetarit të Kuvendit nga VMRO – DPMNE-ja, Trajko Veljanoski, dhe gjithashtu theksoi se nuk është e vërtetë teza se njerëzit janë vrarë diku tjetër dhe më pas janë dërguar në Liqenin e Smillkovës. Të akuzuarit për rastin, fjalën e fundit do ta kenë më 3 shkurt.