Molliqaj lëshon akuza në drejtim të VV: Janë të parët vetëm për hipokrizi
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përmes një statusi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka lëshuar akuza në drejtim të Vetëvendosjes, duke shtruar pyetje se a është mandati i Agim Bahtirit i vjedhur. Sipas tij VV’ja ka akuzuar për vjedhje të mandateve ndërsa tani po e bën këtë gjë.
“Agim Bahtiri në VV nuk qenka mandat i vjedhur. Rrafsh 2 vjet na patën lodhur me akuzën e vjedhjes së mandateve. Dhe fundi po e rikuptimëson fillimin. Ata ia bëjnë qefin vetes se janë të parët në Kosovë. Ama janë të parët vetëm për hipokrizi, për asgjë tjetër.” shkroi Molliqaj.
Ai ndër tjera foli edhe për një koalicion të mundshëm mes LDK’së dhe LVV’së, duke shtuar se nuk kanë siguri që ta caktojnë një kandidat për kryeministër. Duke thënë se LDK frikësohet nga rënia e votës ndërsa VV frikësohet nga refuzimi i LDK’së, shkruan Express.
“As LDK dhe as VV nuk e kanë sigurinë e brendshme as të caktojnë një kandidat për kryeministër, se lëre më për diçka tjetër. LDK po frikësohet nga vetvetja, kurse VV nga refuzimi i LDK-së” shkroi ai.
Ndër tjera Molliqaj shkroi se koalicion PSD-AAK ka përcaktim të qartë dhe i vetmi që guxon të realizojë politika për përmirësim të jetës së qytetarëve.
“I vetmi koalicion që ka përcaktim të qartë është PSD-AAK. Ky është i vetmi koalicion që di dhe guxon të realizojë politika për përmirësimin e jetës së qytetarëve” shkroi Molliqaj.
Partia Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tani më janë zyrtarisht në koalicion parazgjedhor dhe do të garojnë në listë të përbashkët.