MMA Shokon Conor McGregor, njofton tërheqjen nga MMA!
Conor McGregor shokon të apasionuarit e UFC. Luftëtari irlandez, nëpërmjet një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, ka njoftuar mëngjesin e kësaj të marteje tërheqjen në MMA. 30-vjeçari, pa dyshim luftëtari më i famshëm për titujt e fituar (i pari dhe i vetmi që ka triumfuar në dy pesha të ndryshme), ishte i pezulluar për shkak të sherrit me Khabib Nurmagomedov menjëherë pas përballjes me rivalin e tij nga Dagestani në Las Vegas.
Pavarësisht zërave për caktimin e një tjetër dueli, McGregor i ka lënë të gjithë me gojë hapur.
“Përshëndetje djema! Kam vendosur të tërhiqem nga sporti, që formalisht njihet si MMA (Mixed Martial Art). U uroj të gjithë kolegëve të mi që të shohin përpara në këtë kompeticion. Tani u bashkohem ish-ortakëve të mi në këtë disiplinë, tashmë në pension.”
McGregor, nga viti 2013 garonte në Ultimate Fighting Championship (UFC), që konsiderohet liga më e rëndësishme e MMA-së në të gjithë botën. Në fakt, gjatë muajve të fundit, më shumë se për përballjet e tij në ring është folur për çështjet gjyqësore. Në prill të vitit të kaluar u arrestua në New York, pasi sulmoi disa kolegë të tij, ndërsa në tetor u pezullua 6 muaj për shkak të përplasjes me Khabib Nurmagomedov dhe stafin e tij fill pas duelit në La Vegas. Ndërsa pak ditë më parë u ndalua nga policia në Miami, pasi i kishte thyer telefonin një personi që dëshironte të bënte një foto me të.
Në verë të 2017-ës sfidoi të madhin Floyd Mayweather në një duel boksi, por e humbi ndeshjen pasi boksi nuk ishte sporti i tij, ndonëse Mayweather është 11 vite më i madh dhe ishte tërhequr në vitin 2015.