Real Madridi befasohet nga Girona, mposhtet me rikthim në Bernabeu

Girona ka arritur ta befasojë Real Madridin duke e mposhtur me rikthim 2-1 në Santiago Bernabeu në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të të La Ligas.

Skuadra e Santiago Solarit është ndalur nga Girona, të cilët i kanë mposhtur në shtëpi pas pesë fitoreve radhazi në kampionat.

Pjesa e parë e ndeshjes u dominua e gjitha nga Mbretërit, të cilët përveç shumë raste arritën të gjejnë edhe golin e epërsisë.

Ishte braziliani Casemiro, i cili shënoi me kokë në minutën e 25-të pas asistimit të Toni Kroos për 1-0.

Reali arriti të gjej golin edhe në minutën e 44-të me anë të Marcelos, por pas rishikimit të VAR-it goli u anulua si i parregullt.

Në pjesën e dytë u zhvillua krejtësisht ndeshje tjetër, pasi ishin mysafirët katalunas që dominuan dhe arritën ta rikthejnë rezultatin.

Zhvillohej minuta e 65-të e ndeshjes kur sulmuesi Christian Stuani shënoi nga penalltia për 1-1, pasi më parë me dorë luajti Sergio Ramos.

Në minutën e 75-të, Girona arriti të gjej edhe golin tjetër me anë të Portu, i cili shënoi për 2-1 dhe ky doli të jetë goli i fitores për katalunasit.

Pas kësaj fitore, Girona e sheh veten në pozitën e 15-të me 27 pikë, ndërsa Real Madridi bie në vendin e tretë me 45 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Mbretërit udhëtojnë te Levante, ndërsa Girona e pret në shtëpi Real Sociedadin.