Mjeku shqiptar, i shpallur ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë
Mentor Petrela është një ndër neurokirurgët më të mirë shqiptar, i cili tre vjet më parë u përzgjodh nga revista shkencore “World Academy of Neurological Surgery”, si një nga 100 neurokirurgët më të mirë në botë.
Së fundi, mjeku i mirënjohur shqiptar ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion”, ku ndër të tjera rrëfeu edhe një nga momentet më të vështira të punës së tij.
Petrela u shpreh se një nga momentet e tij më të vështira është komunikimi me familjen kur je përballë një dështimi jo vetëm profesional, por edhe ndaj sëmundjes.
“Nga momentet më të vështirat është komunikimi me familjen kur je përballë një dështimi jo vetëm profesional, por edhe dështim me sfidën e sëmundjes. Ai është momenti më i vështirë”.
Po ashtu, Petrela, i cili është i njohur gjerësisht për teknikat e avancuara të operacioneve me pacientin zgjuar, theksoi se nuk ka njeri të pagabueshëm.
Sipas tij, nëse një person s’e pranon që ka gabuar, ai është gënjeshtar.
Gjithashtu, neurokirurgu i njohur rrëfeu edhe si e zgjodhi këtë profesion, i cili kërkon impenjim dhe studim gjatë gjithë kohës. Ai tha se kjo ishte një dëshirë e fshehtë e babait të tij, që mundohej ta ushqente me të.
“Ka qenë një dëshirë e fshehtë e babait tim, që mundohej të ma ushqente. Por nuk kanë qenë të gjitha elementet që unë të futesha në mjekësi. Unë kam qenë një nga “delet e zeza” që as nuk kam pretenduar që do të shkoja për studimet e larta. Fillimisht u futa në rusisht, pastaj ka qenë profesor Gjata, i cili më transferoi tek mjekësia. Është profesion i vështirë që kërkon impenjim dhe studim gjatë gjithë kohës.”