Lajme

Ministrit serb të Shëndetësisë i ndalohet hyrja në Kosovë

Ndalohet hyrja e ministrit serb të shëndetsisë Lonçar në Kosovë, si përgjigje ndaj injorimit të kërkesave për vizitën e ministrit të Kulturës në Preshevë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi sot se ministri serb i Shëndetësisë Zlatibor Lonçar nuk është lejuar të hyjë në Kosovë pasi qeveria serbe “injoroi” kërkesën e ministrit të Kulturës së Kosovës, Hajrulah Çeku për të vizituar Preshevën.

Ministria e Kosovës deklaroi se një kërkesë që ministri i Kulturës të vizitojë Preshevën i është përcjellë Zyrës Ndërlidhëse të Qeverisë së Serbisë në Prishtinë më 20 mars, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Një sjellje e tillë është shembull i qartë i destruktivitetit të Serbisë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Ministria serbe e Shëndetësisë ka njoftuar mëngjesin e sotëm se ministri i shëndetsisë Zlatibor Lonçar nuk është lejuar të hyjë në Kosovë, ku është dashur të vizitojë qendrat klinike dhe spitalore në Mitrovicë dhe Graçanicë.

Departamenti deklaroi se ata e njoftuan vizitën me kohë, dhe e quajtën të turpshëm vendimin për ndalimin e Lonçarit për të hyrë në Kosovë.

Ndalimin e hyrjes e ka dënuar Lista Serbe, e cila ka vlerësuar se vendimi është në kundërshtim me marrëveshjet aktuale ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.