Ministria e Financave të Kosovës: Sot dalin pagat dhe shtesat prej 300 euro të parapara në Pakon Emergjente
Ministria e Financave dhe Transfereve të Kosovës thotë se pagat e punëtorëve në sektorin publik dhe shtesat për disa kategori do të kryhen gjatë ditës së sotme.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i MFT-së, Muharrem Shahini, duke shtuar se së bashku me ekzekutimin e pagave do të përfshihet edhe shtesa prej 300 euro për disa kategori që janë përfitues sipas Pakos Emergjente Fiskale.
“Së bashku me pagat do të përfshihet edhe shtesa prej 300 euro e paraparë për të gjithë ata përfitues sipas Pakos Emergjente Fiskale”, tha Shahini.
Nga kjo pako, sigurim shtesë në vlerë prej 300 euro mbi vlerën e pagës do të kenë të gjitha ata punëtorë në terren që janë të ekspozuar drejtpërdrejtë nga rreziku i infektimit me Coronavirus.
“Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianët) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë – Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin prill dhe maj deri në vlerë prej pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000) euro”, thuhet në masën e gjashtë të Pakos Emergjente Fiskale, përcjell Telegrafi.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.
Vlera totale financiare e kësaj pakoje është 179.65 milionë euro.