Lajme

Milanoviq: Nëse Rusia dhe Ukraina përplasen, Kroacia do të tërhiqet nga NATO-ja

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq, ka paralajmëruar se ushtria e vendit të tij do të tërheqë të gjithë efektivin e saj nga NATO-ja në rast ndezjeje të konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë.

I pyetur gjatë vizitës së tij në një fabrikë në Zagreb se “cili do të ishte roli i Kroacisë nëse do të shpërthente një luftë midis Ukrainës dhe Rusisë”, Zoran Milanoviqi u përgjigj me këto fjalë: “Nuk ka asnjë fajtor real në këtë situatë, por është shumë e qartë se kush do të dëmtohet. Për këtë arsye, Kroacia dhe ushtria kroate nuk do të marrin pjesë në një luftë të tillë.”

Duke përmendur “kërkesën e NATO-s për përforcime ushtarake kroate shtesë në rajon”, Presidenti Milanoviq tha: “Unë jam komandanti i përgjithshëm i ushtrisë kroate. Në rast se ndizet konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë, ne do të tërheqim të gjithë anëtarët e ushtrisë kroate. Unë nuk dua që ushtria kroate të jetë në rajon.”

Pasi theksoi se ky vendim nuk ka të bëjë aspak me Ukrainën apo Rusinë, kreu i shtetit kroat sqaroi se pozicionimi i tyre varet tërësisht nga dinamika e administratës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe e politikë së brendshme amerikane.

Ai potencoi gjithashtu se Ukraina nuk ka vend në NATO.

“Ukraina nuk po arrin të shënojë progres ekonomik, ajo është bërë një prej vendeve më të pazhvilluara”, u shpreh Milanoviq mes të tjerash.