Kryesore

Metoda për spastrim etnik – ose plani i Beogradit për t’i bërë pakicë shqiptarët e Bujanocit

Në komunën e Bujanocit shqiptarët përbëjnë mbi 50 për qind të popullsisë, rrjedhimisht ata kanë edhe pushtetin, përfshirë edhe kryetarin e komunës. Pasi në Medvegjë pushteti i Aleksandar Vuçiqit prej vitesh është duke ua marrë të drejtat civile shqiptarëve, përfshirë edhe shtetësinë dhe të drejtën për votë, tash një projekt i tillë ka nisur të zbatohet në Bujanoc. Nëse ky projekt diskriminues ka sukses (e mund të ketë), atëherë brenda pak viteve numri i shqiptarëve në Bujanoc mund të bie nën 50 për qind (së paku ky është qëllimi i Beogradit). Në rast të tillë pakica serbe në Bujanoc “bëhet shumicë” dhe merr pushtetin.

Fshirja e shqiptarëve nga regjistrat civilë është fenomen i njohur prej vitesh, por çuditërisht nuk ka luajtur rol në qëndrimet që politikanët sundues të Kosovës kanë mbajtur lidhur me Luginën e Preshevës. Për politikanët e Tiranës as që duhet humbur shumë fjalë. Për ta Lugina e Preshevës është bërë arenë për poza patriotike me pompozitet dhe me pak ose fare përmbajtje. Shqipëria vitin e kaluar ishte kryesuese e OSBE-së, një organizatë që merret shumë me të drejtat e pakicave. A është tematizuar çështja e fshirjes së adresave të shqiptarëve ndonjëherë?

Në rastin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës Serbia po e aplikon ligjin për vendbanim dhe vendqëndrim (prebivalište i boravište). Nëse një shqiptar i Bujanocit apo Medvegjës jeton në Gjilan, atëherë autoritetet serbe e fshijnë nga regjistri civil dhe personi humb shtetësinë dhe të drejtën e votës. Pala serbe argumenton se një person nuk mund të ketë dy vendqëndrime (boravište).

Por ligji serb po zabtohet në mënyrë selektive. Domethënë një serb që jeton në Dortmund të Gjermanisë apo në Luzern të Zvicrës nuk e humb të drejtën e votës apo shtetësinë, ndërsa me shqiptarët e Luginës së Preshevës kjo po ndodh. Një serb i Kosovës me banim në Kralevë ka të drejtë të votojë në Kosovë dhe të ketë shtetësi të Kosovës. Po të provonin autoritetet e Kosovës t’ia merrnin këto të drejta serbëve që nuk kanë vendqëndrim në Kosovë, do të bëhej hataja në qarqet diplomatike. Pala serbe, ndërkaq, mund të vazhdojë t’i diskriminojë shqiptarët e Luginës së Preshevës pa asnjë pasojë. Dhe e lumtur me heshtjen e Prishtinës.