Shqipëri

Meta: Referendumi shpëton Shqipërinë, kam vendosur të zbres në shesh

Në një konferencë për mediat, Presidenti Meta ka folur edhe njëherë tjetër për referendumin, duke thënë se është e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë.

Ai thekson se shqiptarët janë të pashpresë me këtë klasë politike. “Nuk kemi asnjë referendum në 21 vite sepse politika e ka ndaluar. Si president kam vendosur pas gjithë përpjekjeve të mia për të gjetur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës dhe kësaj loje, kam vendosur të zbres në shesh dhe nuk do të iki nga sheshi derisa t’i kthejmë shqiptarëve të drejtën e referendumit që e kanë në Kushtetutë.

Dua t’i them të gjithë shqiptarëve se me këtë klasë politike jeni të pashpresë. Kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë. E vetmja rrugë është ushtrimi i demokracisë direkte. Në të gjitha sheshet e Shqipërisë do të komunikojmë me popullin. Populli shqiptar të mos mbetet më në mëshirën e partive. Do të fillojë një epokë e re, ajo e partive përfundoi”, tha Meta.

Gazetarja e A2, Klementina Cenkollari, e pyeti Presidentin se cila mund të jetë pyetja e referendumit, ndërsa ai u përgjigj se do të japë detaje mbi platformën më datën 8 dhjetor, kur ka thirrur edhe një tubim në Qytetin Studenti.