Lajme

Mësohet çka i propozuan Veseli dhe Haradinaj ambasadorit Kosnett për taksën

Burime të Periskopit brenda takimit të ambasadorit Philip Kosnett me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, thonë se këta dy të fundit kanë propozuar që taksa ndaj Serbisë të ‘ngrihet’ përkohësisht, përkatësisht në një afat kohor prej 3 muajsh, mirëpo këtë ofertë nuk e ka pranuar ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett sot ka takuar kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Që prej dy ditësh, kur edhe është paralajmëruar ky takim, nikoqir i të cilit ishte Kadri Veseli, është folur se temë diskutimi do të ishte taksa ndaj Serbisë. Pas takimit, asnjë nga pjesëmarrësit, përfshirë ambasadorin amerikan, Kosnett, kryeparlamentari Veseli e as kryeministri Haradinaj nuk janë deklaruar menjëherë pas takimit, siç vepronin zakonisht pas takimeve të niveleve të tilla.

Kryeparlamentari Veseli, pas një kohe prej takimit, ka shkruar vetëm një status në Facebook, përmes të cilit tregonte se ‘Kosova të gjitha vendimet i merr bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës’.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj në një konferencë për media, ka thënë vetëm se ‘jemi të gatshëm dhe kemi qejf ta heqim taksën’, duke aluduar në kushtin e tij të ditur tashmë që kjo do të bëhej ‘me njohje reciproke nga Serbia’. Veseli dhe Haradinaj, nuk kanë dhënë detaje më të hollësishme lidhur me interesimin e mediave se çka konkretisht është diskutuar për taksën në takim me ambasadorin Kosnett.

Por, burime të Periskopit brenda takimit, kanë treguar se kanë qenë Veseli dhe Haradinaj që i kanë propozuar ambasadorit Kosnett se taksa mund të ‘ngrihet’ (pezullohet) përkohësisht, më saktë, në një periudhë kohore prej 3 muajsh.

Por të njëjtat burime thonë se ambasadori Kosnett nuk e ka pranuar këtë ofertë të Veselit dhe Haradinajt, duke kërkuar që taksa të pezullohet tërësisht.