Mësimi online me video-selfie, Shahini prezanton platformën e re
Pas vendimit të qeverisë për të mbyllur për 2 javë shkollat si pasojë e situatës së krijuar nga koronavirusi, ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha se do të shihen mundësitë e zhvillimi të mësimit online.
Sot ajo pa prezantuar platformën mësimore Akademi.al
“900 leksione në matematikë dhe shkenca, për klasat 6-12, i gjeni në platformën mësimore Akademi.al”, shkruan Shahini dhe i bën thirrje nxënësve të regjistrohen sa më parë.
“Regjistrohuni sa më parë dhe aksesojini ata. Nëse keni pyetje, na shkruani këtu. Paralelisht, pyetjet më të shpeshta që nxënësit kanë për leksione të caktuara, do t’i adresojmë me video të reja nga mësuesit dhe do të publikohen këtu”, nënvizon Ministrja.
Në udhëzimin e publikuar sot nga Ministria e Arsimit përcaktohen detyrat që kanë mësuesit, nxënësit, por edhe prindërit në procesin e zhvillimit të mësimit nga shtëpia.
Mësuesit parashikohet ta shpjegojnë mësimin nëpërmjet videove-selfieve ku do përçohen informacionet më kryesore dhe më pas do t’u dërgohet nxënësve në platfomat online të komunikimit (ËhatsApp, e-mail, platforma online, facebook, skype, video etj.)
Mësuesi do të duhet që në këtë periudhë dy javore të ruajë kontakte të vazhdueshme më nxënësit, prindërit dhe të raportojë hap pas hapi tek drejtoria e shkollës; jep detyra, ushtrime, lexime plotësuese, duke pasur kujdes që të mos mbingarkojë nxënësit me përmbajtjen mësimore duke u fokusuar në njohuritë kryesore.
Nga ana tjetër, nxënësit do të vazhdojnë që të bëjnë detyrat e dhëna, për t’ua dërguar më pas mësuesit për korrigjim.
Prindërit kanë tre detyra kryesore: të jenë pjesë e grupeve të komunikimit me mësuesit sipas planit të përcaktuar nga drejtoria e shkollës; të marrin çdo informacion që vjen nga drejtoria e shkollës dhe mësuesit përkatës; të mbështesin fëmijën në mësimin në kushtet e shtëpisë duke lehtësuar marrjen e informacionit nga mësuesit. /Opinion.al