Bota

Merz: Gjermania është rikthyer. Ne jemi gati të mbrojmë paqen në kontinentin tonë

Kancelari i ardhshëm i mundshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, paraqiti të enjten në mesditë, më 13 mars 2025, në Bundestag, një plan për financimin e shpenzimeve të mëdha për mbrojtjen dhe infrastrukturën.

Friedrich Merz synon të investojë 500 miliardë euro në infrastrukturë gjatë 10 viteve të ardhshme dhe të rrisë shpenzimet për mbrojtjen. Për këtë, ai kërkon ndryshimin e rregullave të borxhit, të cilat që nga viti 2009 kufizojnë huamarrjen shtetërore.

Plani i tij parashikon që shpenzimet për mbrojtjen mbi 1 përqind të PBB të financohen me kredi. Por që kjo të ndodhë, ai ka nevojë për një shumicë të madhe në Bundestag – dhe për votat e të Gjelbërve.

Vota e të Gjelbërve është e domosdoshme 

Duke qenë se këto ndryshime përfshijnë një reformë kushtetuese, planet për huamarrje kërkojnë një shumicë prej dy të tretash në parlament. Për këtë arsye, Merz po përpiqet t’i kalojë këto plane përmes parlamentit të vjetër, ku shpreson të arrijë këtë shumicë me votat e socialdemokratëve dhe të Gjelbërve.

Për të siguruar mbështetjen e tyre, ai bëri lëshime: Fondi special do të përfshinte rreth 50 miliardë euro për masa në mbrojtjen e klimës. Përveç kësaj, ai ra dakord që të ketë fonde shtesë për shërbimet sekrete dhe mbrojtjen civile. I vetëkënaqur, kancelari i mundshëm i ardhshëm i Gjermanisë deklaroi: “Çfarë mund të dëshironi më shumë në një kohë kaq të shkurtër?”

Të Gjelbërit ende kundër 

Por Merz duket se i ka bërë llogaritë pa të zotin e shtëpisë. Gjatë leximit të parë të projektligjit në Bundestag, të Gjelbërit thanë se nuk janë të kënaqur dhe se në këtë formë nuk do ta pranojnë.

Kryetarja e grupit parlamentar të të Gjelbërve, Katharina Dröge, iu përgjigj qartë: “Nuk kemi besim tek ju.” Ajo e akuzoi Merz për një ndryshim të papritur të qëndrimit ndaj rregullave të borxhit, duke e cilësuar atë si një lëvizje të pastër taktike për qëllime partiake. Ajo kujtoi se një kërkesë të tillë për ndryshimin e frenës së borxhit e kishin bërë më parë edhe të Gjelbërit me socialdemokratët vitin e kaluar, por Merz, si opozitar, e kishte refuzuar.