Maqedoni

Mërgimtarët ringjallin bizneset në Maqedoni

Kthimi i mërgimtarëve për festat e fund vitit, edhe pse në numër të vogël, ndikon pozitivisht tek bizneset e vogla. Edhe përfaqësuesit e bizneseve, edhe pse në masë më të vogël, thonë se tashmë e ndjejnë rritjen e qarkullimit. Disa nga afaristët thonë se pa mërgimtarët, bizneset e tyre mund të pësojnë rënie deri në 80%.

“Ardhja e mërgimtarëve sigurisht që ndikon pozitivisht, sigurisht që prej atyre kemi të ardhura dhe na ndihmon në bizneset tona, por mosardhja sikur që ishte gjatë verës kur nuk mundën të vijnë, ndikoi negativisht tek bizneset tona. Nëse nuk vijnë deri në 30-40% kemi më pakë shitje. Fatkeqësisht verës e kishim atë problem.”

“Çarshia e Vjetër është e varur prej mërgimtarëve dhe sivjet ka ndikuar së tepërmi. Diku tek 50 për qind, 50 për qind i profitit do të jetë më i ulët nëse mërgimtarët nuk do vijnë”.

“Nëse verës ka qenë 80 për qind rënie, tani do të jetë edhe më shumë për shkak se është dimër, ftohtë, dasma ka më pakë, mërgimtar do të vijnë më pak. E sigurisht se do të jetë më shumë se 80%”.

Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thotë se gjatë kontakteve me përfaqësuesit e bizneseve të vogla, ata thonë se javën e fundit ka filluar të ringjallen bizneset e tyre.

Është evidente fakti që ka filluar diçka të lëvizë në aspektin pozitiv, edhe krahas faktit që numri i mërgimtarëve që kanë vizituar vendin në këtë periudhë nuk është as i përafërt me atë që ka qenë në vitet e kaluara mirëpo efekti është i menjëhershëm dhe vërehet sidomos në bizneset mikro, të vogla, e në komunikim me ta kemi një efekt pozitiv. Por ne si odë ende e kemi dilemën a është e mjaftueshme kjo”-tha Durim Zekiri, OEMVP.

Zeqiri thotë se, në një periudhë të zakonshme dhe pa kufizime, remitancat që vinin nga mërgimtarët, kanë arritur edhe normën deri në 15 për qind të BPV-së. Në nivel vjetor ato zakonisht arrijnë deri në një miliardë euro. Ndërkohë, tani në kohë pandemie, sipas përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, me ardhjen e mërgatës në vendlindje, përpos që ringjallet aktiviteti ekonomik, zbutet edhe deficiti vjetor. Ndërsa në kohën e pandemisë, sa më e madhe të jetë mungesa e remitancave, aq më shumë do të vështirësohet rimëkëmbja e ekonomisë, e cila ka pësuar shumë nga pandemia e Covid 19.

Një numër i madh i shteteve të Evropës, e kanë vendosur Maqedoninë e Veriut në listën e shteteve, udhëtimi drejt të cilave do t’u kushtojë qytetarëve karantinë gjatë kthimit.