Melihate Tërmkolli “godet” zyrtarët e LDK-së: Thirrja hipokrite në emër të Rugovës, nuk bën punë
Sot në Ditën e Presidentit zyrtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka kujtuar presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugova.
Tërmkolli në shkrimin e saj thekson se ishte Presidenti Rugova ai i cili i dha drejtim, formë dhe shpirt lëvizjes së shqiptarëve për Liri, Pavarësi e Demokraci shkruan Gazeta Blic.
Ajo thekson se ai nuk bëri kurrë kompromis me shtetin dhe me interesat e shqiptarëve, me të vërtetën e lirinë si koncepte filozofike të përkthyera në të vërtetën dhe lirinë e shqiptarëve si popull fisnik me vlera dhe rrënjë thellësisht perëndimore.
Tutje ajo ka goditur fort edhe zyrtarët e LDK-së duke theksuar se imitimi dhe thirrja hipokrite në emër të tij nuk bën punë.
“Imitimi i Rugovës nuk bënë punë. Thirrja hipokrite në emrin e tij nuk bënë punë. Mjafton veç të punojmë për shtetin e për qytetarët përnjëmend, pa hile, pa kompromis. Mundemi, po të duam!”
Shkrimi i plotë:
Në Ditën e Presidentit!
Në Ditën e Presidentit kujtojmë veprën madhështore të Presidentit Rugova për Lirinë dhe Pavarësinë e vendit tonë, për Kosovën shtet i pavarur e demokratik dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të. President historik i Kosovës dhe Lider i përjetshëm i LDK-së, Presdienti Rugova i dha drejtim, formë dhe shpirt lëvizjes së shqiptarëve për Liri, Pavarësi e Demokraci. Ai nuk bëri kurrë kompromis me shtetin dhe me interesat e shqiptarëve, me të vërtetën e lirinë si koncepte filozofike të përkthyera në të vërtetën dhe lirinë e shqiptarëve si popull fisnik me vlera dhe rrënjë thellësisht perëndimore. Mbi këto vlera, Kosova e mundi komunizmin, e arriti lirinë, e projektoi dhe realizoi shtetin e pavarur.
Tani e sa kohë, stërkeqja e deformimi i vlerave fundamentale që e mbajnë një shtet e një popull dhe shëndërrimi i tyre në interesa materiale, personale, grupore e klanore, protagonizmi fals e shterpë i akterëve politikë, e dëmtuan e po e rrënojnë deri në palcë shtetin dhe interesin e qytetarëve duke lëkundur edhe qenien tonë kombëtare.
Imitimi i Rugovës nuk bënë punë. Thirrja hipokrite në emrin e tij nuk bënë punë. Mjafton veç të punojmë për shtetin e për qytetarët përnjëmend, pa hile, pa kompromis. Mundemi, po të duam! Nuk falet heshtja e të “diturve” po aq sa nuk falet zhurma e të paditurve e batakçinjëve. Nuk falet koketimi, flirti e pajtimi me të keqen e të dëmshmen ashtu siç nuk falet as ikja nga përgjegjësitë. E keqja, si edhe e mira, nuk vie vetëm. Ndjellja e të keqes sjell veç të këqija edhe më të mëdha. Harresa na dëmton rëndë. Tani kur jemi “shpërralluar” pothuajse të gjithë, një ringritje kulturore, politike e kombëtare është e natyrshme dhe e domosdoshme. Duhet pak guxim, pak urti, pak mençuri dhe shumë dashuri për vendin e për njëri tjetrin.