Maqedoni

Mediat shqiptare: Zaevi fitues i zgjedhjeve, sukses edhe për shqiptarët me 29 deputetë në Parlament

Mediumet shqiptare, në vazhdimësi informojnë për aktivitetet parazgjedhore dhe zgjedhore në vendin tonë dhe u lënë hapësirë të veçantë rezultateve paraprake të zgjedhjeve.

“Zaev shpalli fitore”, “Zaev fitues në zgjedhje, sukses edhe për shqiptarët me 29 deputetë në Parlament”, “Ahmeti siguroi 100.000 vota”, “Ahmeti dhe Zaev në koalicion qeveritar?”, “Zgjedhje në pandemi, por më demokratike”, janë vetëm disa nga titujt e mediave shqiptare në informacionet që ata publikojnë këtë mëngjes.

“Lidhja Socialdemokrate shpalli fitoren në zgjedhjet e djeshme dhe kjo duhet të konfirmohet zyrtarisht nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Suksesi i shqiptarëve që siguruan 29 vende deputetësh në Parlamentin e ri të fqinjit tonë. Në mes shqiptarëve, BDI-ja ende ka mbështetjen më të madhe e cila me siguri do të jetë përsëri partneri i koalicionit qeveritar të LSDM-së. Zgjedhjet e para në pandemi, por demokratike dhe të ndershme, duke respektuar protokollet”, janë një përmbledhje e shkurtër e mbulimit mediatik.

Të gjitha pa përjashtim transmetuan pjesë të paraqitjes së liderëve të LSDM-së, Zoran Zaev dhe BDI-së, Ali Ahmeti.

“Koalicioni “Mundemi” është fituesi i zgjedhjeve dhe vullneti i popullit u konfirmua për një të ardhme të sigurt, patriotizëm ekonomik, sundim të ligjit. U konfirmua rruga përpara. Ne i thamë JO rrezikut. Qytetarët njohën vlerat e vërteta, ata na dhanë besim. Koncepti i integrimit mundi konceptin e izolimit”, është pjesë e deklaratës së Zaevit të transmetuar nga mediat.

“Shqiponja është kthyer në folenë e vet. Kjo fitore e BDI-së është fitore e shqiptarëve dhe me këtë fitore asnjë shqiptar nuk do të humbasë. Ne kemi dëshmuar se jemi më të suksesshmit në të gjitha fushat dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë. Shqiptarët nuk do të zhgënjehen me ne. Unë jam mirënjohës që pata mundësinë të njoftoj lajmet më të mira për shqiptarët dhe fitoren absolute”, shkruajnë mediat shqiptare, duke transmetuar pjesë të deklaratës së Ahmetit.

Ato, gjithashtu, transmetojnë përmbledhje të numrit të votave të fituara, përqindjeve dhe numrit të mandateve të fituara nga koalicionet dhe partitë.