Me thirrjet “Vdekje Amerikës” u zhvillua ceremonia mortore për gjeneralin iranian
“Vdekje Amerikës”. Më këtë thirrje u zhvillua ceremonia mortore në Bagdad për komandantin e forcave elite të Iranit, gjeneral Qassem Soleimani, i vrarë në një sulm ajror amerikan ditën e enjte.
Ceremonia në Bagdad shënon nisjen e 3 ditëve të zisë në homazh të Soleimanit, i cili ishte arkitekti i operacioneve të Iranit në Lindjen e Mesme.
Trupat e gjeneralit dhe zyrtarëve të tjerë iranianë që u vranë në sulmin ajror do të kthehen në atdhe mbrëmjen e së shtunës dhe do të varrosen të martën, shkruan A2.
Teherani është zotuar për hakmarrje të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara: “Republika Islamike ka të drejtë të përgjigjet në çdo kohë dhe çdo mënyrë. Ne nuk do të përfshihemi në fushatat e shpifjes dhe shantazhit të Shteteve të Bashkuara. Ne do të përgjigjemi ashtu siç duhet në çdo moment, ashtu siç e tha edhe Lideri Suprem, Ayatollah Khamenei”.
Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë 3 mijë trupa të tjerë në Lindjen e Mesme për t’iu përgjigjur akteve të mundshme të dhunës.
Në një konferencë të mbajtur në resortin e Mar a Lagos në Florida, Presidenti amerikan Donald Trump tha se ushtria amerikane kishte ndërmarrë një sulm preciz duke vrarë terroristin numër një në botë, Qassem Soleimani: “Soleimani po komplotonte sulme të menjëhershme dhe të këqija ndaj diplomatëve amerikanë dhe personelit ushtarak, por ne e ndaluam atë. Vepruam për të ndaluar një luftë e jo për të filluar një tjetër”.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët e vet të largohen menjëherë nga Iraku. Televizioni irakian tha të premten se kishte pasur një tjetër sulm ajror, 24 orë pas vrasjes së Soleimanit. Një burim i ushtrisë irakiane the për agjencinë e lajmeve Reuters se 6 persona ishin vrarë në sulmin e ri, që shënjestroi një patrullë të milicive irakiane në orët e para të së shtunës.