Lajme

Më shumë se 1.5 milionë myslimanë shkojnë në Mekë për haxh

Besimtarët myslimanë ia kanë mësyrë qytetit të shenjtë të Mekës para fillimit të haxhit, që sivjet për herë të parë pas tre vjetësh nuk do të ketë numër të kufizuar të besimtarëve për shkak të heqjes së masave për mbrojtje nga pandemia.

Zyrtarët e Arabisë Saudite kanë thënë se 1.5 milionë myslimanë nga shtete të ndryshme kanë arritur në Mekë për ritualin e haxhit.

Gjatë ditëve të ardhshme pritet të vijnë mijëra të tjerë.

Zyrtarët sauditë kanë thënë se numri i besimtarëve për haxh pritet të arrijë nivelin e para pandemisë. Në vitin 2019, më shumë se 2.4 milionë myslimanë shkuan në Mekë për ritualin e haxhit.

Sivjet, autoritetet kanë forcuar sigurinë dhe të gjitha vendet e shenjta do të jenë në mbikëqyrje të kamerave dhe sistemeve të sigurisë.

Autoritetet gjithashtu kanë krijuar një qendër në të cilën do të pranohen të gjitha thirrjet nga besimtarët dhe reagimi mund të bëhet brenda 45 sekondave.

Haxhi është një prej pesë shtyllave të fesë islame dhe të gjithë myslimanët obligohen që së paku një herë në jetën e tyre të shkojnë në haxh nëse është fizikisht dhe ekonomikisht e përballueshëm.