Mbledhja e përbashkët në Tiranë, Rusia: Shqipëria e Madhe kërcënim për Ballkanin, të ndërhyjë BE
Rusia ka reaguar ashpër për mbledhjen e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës në datë 2 tetor në Tiranë duke deklaruar se politika e “Shqipërisë së Madhe” është kërcënim për sigurinë në rajon. “Përpjekjet e Prishtinës dhe Tiranës për të promovuar politikën e “Shqipërisë së Madhe” kërcënojnë sigurinë në Ballkan”, tha Ministria e Jashtme ruse.
“Ekziston një përshtypje e paqartë, pavarësisht nga natyra e dyshimtë dhe e rrezikshme e ‘qasjes’ së tyre, qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës vazhdojnë të promovojnë politikën e “Shqipërisë së Madhe”, pa marrë parasysh sa përpiqen të zbukurojnë planet e tyre“.
Rusia vijon më tej duke theksuar se “veprime të tilla paraqesin një kërcënim real për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Pozicioni mbi nevojën për të “eliminuar kufirin” midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të mos ishte një shqetësim”.
Ministria e Jashtme Ruse, siç thuhet në deklaratë, shpreson se do të ketë një “reagim të qartë ndaj këtij veprimi nga bashkësia ndërkombëtare dhe kryesisht nga Bashkimi Evropian të cilit Asambleja e Përgjithshme e OKB i ka besuar misionin e dialogut Kosovë-Serbi“.
“Qëllime të tilla minojnë procesin e zgjidhjes së cështjes së Kosovës, anulojnë përpjekjet që bëhen dhe kërkojnë të gjejnë një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët midis Beogradit dhe Prishtinës” thuhet në deklaratë.
Kujtojmë që pas mbledhjes së përbashkët reagimi nga Beogradi ishte i fortë, ndërsa replikat në distancë përfunduan me dy nota proteste respektive nga Shqipëria dhe Serbia.