Lajme

Mbi 4 mijë automjete me targa ilegale regjistrohen në RKS

Nga data 1 nëntor e deri më sot janë regjistruar në RKS gjithsej mbi 3 mijë e 250 automjete që më parë ishin regjistruar nga autoritetet serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës, si KM, PR etj. Nëse kësaj i shtohen edhe 800 automjete të regjistruara nga vitet paraprake, atëherë numri i përgjithshëm i automjeteve të regjistruara në RKS kap shifrën mbi 4 mijë.

Kështu ka bërë të ditur Veton Elshani, ushtrues detyre i drejtorit të policisë për rajonin e veriut.

Sipas tij, numri i automjeteve që po regjistrohen gjatë afatit të shtyrjes është shumë i vogël, andaj policia nuk sheh arsye që afati të shtyhet, por siç tha ai, nëse qeveria vendos ndryshe, atëherë policia do ta respektojë vendimin.

Ai potencoi se në rast të qarkullimit të ndonjë automjeti me targa ilegale edhe pas 15 dhjetorit, policia do të reagojë menjëherë duke e trajtuar automjetin fillimisht si të paregjistruar, ndërsa herën e dytë policia do t’i konfiskojë ato.

Në anën tjetër, numri i qytetarëve që kanë pritur të mërkurën para qendrës së kontrollit teknik në veri të Mitrovicës, ka qenë shumë i vogël.

Tomislav Zhivkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress, se situata e përgjithshme dhe rrethanat më të reja të krijuara, kërkojnë që qytetarët të cilët kanë vendosur të jetojnë në këto hapësira, duhet të respektojnë rregullat e këtushme.

Ai e quajti të lirë vlerën financiare që duhet paguar për regjistrimin e automjetit, derisa tha se për të është i kushtueshëm dhe shumë i shtrenjtë fakti që s’mund t’i përdorë më targat e vjetra.

Zhivkoviq tha se gjatë afatit të parë ka qenë në dilemë nëse duhet ta regjistrojë automjetin e tij ose jo, ndërsa tani më në fund ka vendosur për një gjë të tillë, për të mos pasur telashe.