Maqedoni

Maqedonia me shumë protokolle, për një kuti me vaksina

Këtë mëngjes, vëmendja e opinionit ishte drejt pikës kufitare Tabanoc. Në vend mbërritën 4800 vaksina nga kompania Pfizer, si donacion nga Serbia. Gjysma e qeverisë së Maqedonisë, në krye me kryeministri Zoran Zaev, me tepih të kuq mirëpritën donatorët serbë të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç. Ekipet e mediave në temperatura nën zero prisnin me padurim vaksinat e shumëpritura. Dhe më në fund, kur automjeti me vaksinat kaloi kufirin, autoritetet hapën dyert për kameramanët dhe fotografët për ta fotografuar dërgesën. Në furgon kishte vetëm një kuti me vaksina që i presin mijëra njerëz. Kryeministri Zaev thotë se me donacionin, së pari do të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësorë.

“Është hera e parë që kemi marrë pëlqim të tillë nga “Pfizer”, që do të thotë ndoshta shumë për ndihmë në mbarë botën për akte të tilla solidariteti. Kjo është dërgesa e parë, këto ditë sasitë do të arrijnë sasitë e mbetura prej 8000 vaksina dhe është shumë e rëndësishme që vaksinat e para në vendin tonë të vijnë nga Serbia vëllazërore dhe miqësore”, pohoi, Zoran Zaev, kryeministër.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot në mëngjes arriti me aeroplan dhe është pritur në Aeroportin e Shkupit nga Kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq. Pas përfundimit të ngjarjes, Kryeministri Zaev dhe Vuçiq u drejtuan drejt një kantine të verës në Shkup për të ngritur dolli për gjestin e solidaritetit.

“Serbia nuk ka interes tjetër përveç se të shprehë miqësi me popullin maqedonas dhe me të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Nuk kemi gjëra të tjera, nuk na intereson asgjë tjetër përveç miqësisë sonë që ta prosperojmë, për të zhvilluar bashkëpunimin ekonomik dhe për të qenë në gjendje të jetojmë jo vetëm si fqinjët më të afërt, por edhe si miq më të mirë”, tha Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë.

Përgjatë gjithë rrugës së autostradës që të shpie drejt Tabanocës mund të vërehej numër i madh i personave me uniformë që kujdeseshin për sigurinë e politikanëve.

“Mungesën e vaksinave nga Bashkimi Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor të dy liderët e shpjeguan si problem global. Ata presin që vaksinat e unionit të mbërrijnë diku në pranverë. “

Sipas njoftimeve, vaksinimi do të fillojë të mërkurën dhe do të bëhet në spitalin modular. Pas punonjësve shëndetësor, të tjerët që do marrin vaksinën kundër Covid 19 janë personat mbi 70 vjeç. Në faqen e internetit deri më tani, mbi 40 mijë qytetarë nga Maqedonia kanë shprehur interes për vaksinim.