Lajme

Maqedoni, seanca drejtohet në gjuhën shqipe: Ja çfarë tha Xhaferi

Talat Xhaferi çeli seancën e parë të Kuvendit Maqedonas në gjuhën shqipe.

Parlamenti i Maqedonisë ka zyrtarizuar gjuhën shqipe, fjala e kreut të Kuvendit ditën e sotme ka nisur në shqip: “Zonja dhe zotërinj, e hap seancën…”.

Por, ky moment nuk kaloi pa kundërshtimin e VMRO-DPMNE-së, e cila këmbënguli se drejtimi i seancave në gjuhën shipe është nën kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, dhe se bëhet për të fituar pikë politike në prag të procesit zgjedhor.

“Sot bëhemi përsëri dëshimtarë të mënyrës sesi nxitoni, duke i shkelur procedurat, ta vendosni ligjin për dygjuhësinë në funksion, vetëm për një votë më shumë dhe për marketing ditor politik”, tha Nikola Micevski, koordinator i grupit parlamentar të partisë më të madhe të opozitës.

Talat Xhaferi duke u përpjekur të sqarojë çështjen u shpreh se, fakti që ligjet e tjera dhe Rregullorja e Kuvendit nuk janë përshtatur ende me ligjin e gjuhëve, nuk e pengon zbatimin e tij në Kuvend.