Maqedoni

Maqedoni e Veriut: Kufijtë do të rihapen në koordinim me shtetet tjera

Venko Filipçe, Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se hapja e kufijve të këtij vendi me shtetet tjera do të varet nga stabilizimi i mëtejmë i gjendjes me koronavirusin, por ka theksuar se kjo nuk do të bëhet pa një koordinim me shtetet tjera, para së gjithash me ato fqinje: Shqipërinë dhe Greqinë.

Filipçe ka thënë se ka realizuar biseda telefonike me drejtuesit e ministrive të Shëndetësisë të dy vendeve, ndërsa të martën ka thënë se Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbajë një konferencë kushtuar shteteve të rajonit.

“Temë e bisedimeve do të jetë koordinimi për hapjen e kufijve dhe masat që do t’i ndërmarrin shtetet, sepse nuk do të mundemi, jo vetëm ne, por cilido shtet, të kemi strategji të suksesshme, nëse në ndonjë moment lëshohen udhëtarë nga jashtë, pa kontroll. Për këtë është i vetëdijshëm secili vend dhe për këtë bëhen këto takime koordinuese. Mund të sjellim masa të caktuara, të cilat do t’i respektojnë të gjithë qytetarët e të gjitha vendeve fqinje, nëse udhëtojnë kudo. Vetëm kjo mund të jetë një histori e suksesshme”, ka deklaruar Filipçe.

Ai ka njoftuar edhe nisjen e procesit të rifillimit të punës së bizneseve, kafeneve, restoranteve, qendrave tregtare dhe objekteve tjera, por nën masa të veçanta, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.