Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen me Kishën Serbe, Gjukanoviq paralajmëron mosbesim ndaj Abazoviqit
Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq, dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq, në Podgoricë, më 3 gusht 2022.
Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviq, konfirmoi të mërkurën në rrjetin social Telegram se është nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe. Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.
Pa paralajmërim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve, mëngjesin e së mërkurës në Podgoricë ka mbërritur patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq.
Vila Shtetërore “Gorica”, ku u nënshkrua Marrëveshja Themelore, ishte vënë nën masa të rrepta sigurie nga policia.
Qeveria e Malit të Zi nuk e ka publikuar zyrtarisht datën e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviq ka mohuar informacionet jozyrtare se nënshkrimi është caktuar për 3 gusht.
Pas nënshkrimit, kryeministri Abazoviq tha se një çështjeje të rëndësishme i është vënë pikë.
“Është nder dhe kënaqësi që më është dhënë mundësia e pazakontë për të nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe për ta mbyllur këtë çështje në një mënyrë shumë të bukur, të përshtatshme dhe dinjitoze”, deklaroi Abazoviq.