Luta tash shkon më larg: Kufiri me Serbinë në Ristovc, ndërkaq me Maqedoninë në Çukarkë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një shkrim të gjatë në Facebook ka folur përsëri për çështjen e kufijve. Ai këtë herë e ka dhënë një propozim se ku duhet të jetë kufiri mes Kosovës me Serbinë dhe Maqedoninë. Siç ka thënë i pari i Gjilanit, kufiri me Serbinë duhet të jetë në Ristovci, kurse me Maqedoninë në Çukarka.
“Qysh në tetorin e vitit 2011 unë e kam lansuar dhe proklamuar këtë kauzë, e cila është mbipolitike. Pra, nga bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën nuk cenohet sovraniteti, por mund të përkthehet si sforcim dhe zgjerim. Realiteti ynë është i hidhur edhe sot e kësaj dite pasi që ne si Kosovë e kemi barrën historike të zgjidhjes së çështjes së Kosovës Lindore. Zgjidhja më e mirë do të ishte që kufiri i Kosovës me Serbinë të jetë në Ristovc, ndërkaq me Maqedoninë në Çukarkë”, ka shkruar Haziri.
Ai tutje ka thënë se cfarëdo marrëveshje me Serbinë që nuk e rikthen këtë pjesë të natyrshme të Kosovës brenda kufijve të saj, nuk është zgjidhje as e qëndrueshme, as e përhershme. Pra, nuk mund të quhet finale, por marrëveshje gjysmëfinale.
“Në këtë kohë kur edhe presidenti Trump dhe të gjithë aleatët kryesor ndërkombëtar po kërkojnë nga lidershipi ynë që çështjen e Kosovës ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë me Serbinë, ne duhet të jemi shumë më vigjilentë e syhapur, shumë më vizionar e kombëtar sesa ‘patriotë’ të çastit”.
Kurse, në lidhje me ftesën e partive qeverisëse bërë LDK-së për të marrë pjesë ne dialog, nënkryetari i LDK-së, ka theksuar se e kupton që ftesat e tyre i përngjajnë ftesës për “garën e pështymës”, por “nuk po e kupton vrapin e tanëve për të marrë pjesë në të”.
“Unë e kuptoj që ftesat e tyre i përngjajnë ftesës për ‘garën e pështymës’, por nuk po e kuptoj vrapin e tanëve për të marrë pjesë në të”
Shkrimi i plotë i Hazirit:
LDK nuk duhet të marrë pjesë në ‘garën e pështymës’
Është folur e përfolur shumë në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian në mes të Kosovës dhe Serbisë, e në veçanti për marrëveshjen finale të paqes në mes dy vendeve, e cila do të jetë ligjërisht obligative.
Kohëve të fundit paraqitën ftesa me gjuhë të papranueshme kryetari e nënkryetari i PDK’së dhe njëri nga zëvendëskryeministrat e Kosovës, për pjesëmarrjen e LDK në dialog.
Me të njejten monedhë u kundërpërgjigjën edhe nga partia ime.
Unë e kuptoj që ftesat e tyre i përngjajnë ftesës për ‘garën e pështymës’, por nuk po e kuptoj vrapin e tanëve për të marrë pjesë në të.
Dihet botërisht fakti se tradicionalisht dialogu ka qenë ‘arma’ e vetme e LDK. Në paqe dhe në luftë.
LDK ka ditur dhe di edhe sot ta përdor dialogun për interesa të Republikës deri në marrëveshje paqësore, por jo për kompromise të panjohura e pa legjitimitet. Fundi-fundit, legjitimiteti nuk falet, por fitohet.
Të kthehemi tek tema më e nxehtë në këtë kontekst, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë ajo e çëshjes së të ashtuquajturit ‘korrigjim i kufijve’, siç po e paraqet presidenti i Republikës në mënyrë permanente. Dhe, jo rrallëherë, në kuadër të këtij debati, unë kam qenë i sulmuar padrejtësisht nga disa ‘fronte’ për shkak se as koncepti e as kronologjia mbi këtë çështje nuk e vërtetojnë një gjë të tillë.
Zgjidhja, kufiri me Serbinë – Ristovci, me Maqedoninë – Çukarka
Qysh në tetorin e vitit 2011 unë e kam lansuar dhe proklamuar këtë kauzë, e cila është mbipolitike. Pra, nga bashkimi i Kosovës Lindore me Kosovën nuk cenohet sovraniteti, por mund të përkthehet si sforcim dhe zgjerim.
Realiteti ynë është i hidhur edhe sot e kësaj dite pasi që ne si Kosovë e kemi barrën historike të zgjidhjes së çështjes së Kosovës Lindore.
Zgjidhja më e mirë do të ishte që kufiri i Kosovës me Serbinë të jetë në Ristovc, ndërkaq me Maqedoninë në Çukarkë.
Çfarëdo marrëveshje me Serbinë që nuk e rikthen këtë pjesë të natyrshme të Kosovës brenda kufijve të saj, nuk është zgjidhje as e qëndrueshme, as e përhershme. Pra, nuk mund të quhet finale, por marrëveshje gjysmëfinale.
Në këtë kohë kur edhe presidenti Trump dhe të gjithë aleatët kryesor ndërkombëtar po kërkojnë nga lidershipi ynë që çështjen e Kosovës ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë me Serbinë, ne duhet të jemi shumë më vigjilentë e syhapur, shumë më vizionar e kombëtar sesa ‘patriotë’ të çastit.
Nuk ka asnjë argument të vetëm politik e as socio-ekonomik që do të vërtetonte se zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës me Serbinë është e qëndrueshme pa rikthimin e Kosovës Lindore në Republikën e Kosovës.
Kosova dhe sovraniteti i saj asnjëherë nuk duhet vënë në pikëpyetje. Por, për mua ka qenë dhe mbetet amanet që të kujdesemi për Kosovën Lindore.