Bota

“Luftë” e përbashkët, në Itali mbërrijnë mjekë dhe ndihma nga Kina

Një Airbus A-350 i Kinës Lindore nga Shanghai arriti në Romë me një ngarkesë të ndihmave të koronavirusit në bord. Fluturimi ishte njoftuar dy ditë më parë nga qeveria e Italisë dhe Kinës. Së bashku me pajisjet mjekësore, mbërritën gjithashtu një grup pune prej 9 mjekësh të specializuar në luftën kundër koronavirusit.

Grupi i përbërë nga mjekë, pediatër, infermierë dhe figura që menaxhuan urgjencën e koronavirusit në Kinë, drejtohet nga nënkryetari i Kryqit të Kuq Kinez, Yang Huichuan, dhe profesori i sëmundjeve kardiopulmonare, Liang Zongan dhe do të pritet nga Kryqi i Kuq Italian .

Avioni shkarkoi 9 paleta me tamponë, materiale respiratore, elektrokardiografi, dhjetëra mijëra maska dhe pajisje të tjera mjekësore të dërguara nga Kryqi i Kuq Kinez.

Kjo e fundit do t’i përcjellë materialet qeverisë italiane dhe do të shpërndajë një pjesë të pajisjeve midis vullnetarëve të Shoqatës të përfshirë në urgjencën e koronavirusit.