Lista Serbe thotë se është gati të marrë pjesë në zgjedhjet në Veri
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, sot u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që sa më parë të shpallin zgjedhjet për kryetarë të rinj dhe asamble komunale në veri, me mesazhin se janë të gatshëm të marrin pjesë në to.
Rakiq në konferencën për media tha se “topi tani është në fushën e Prishtinës”.
Po ashtu, theksoi Rakiq, vendimet politike janë marrë gjithmonë në koordinim me Beogradin.
“Prandaj këtë herë do ta dëgjojmë këshillën e presidentit Vuçiq dhe sot po dërgojmë mesazhin se jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës, duke inkurajuar kështu një proces politik dhe dialog që do të çonte në përmbushjen të kushteve tona, të cilat i kemi theksuar disa herë deri më tani. Prandaj kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme lokale për kryetarë dhe këshilltarë në të katër komunat në veri të Kosovës”, tha Rakiq.