Shqipëri

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri: Do angazhohemi në zgjedhje, qytetarët të propozojnë kandidatët

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri thotë se do të përpiqet të garojë në zgjedhjet e 25 prillit duke mbështetur kandidatura si brenda ashtu dhe jashtë strukturave të saj, në përputhje me parimet statutore.

Me një shënim në faqen zyrtare në “Facebook”, VV-ja në Shqipëri thotë se ky hap synon të sjellë një ndryshim të thellë në ekonomi, politikë, drejtësi dhe në fushën e zbatimit të ligjit.

Ajo shprehet se qytetarët kanë të drejtë të bëhen bashkë për të propozuar ato kandidatë, të cilët mendojnë se i përfaqësojnë të drejtat e tyre. Siç thekson VV-ja, zyrtarizmi i kandidaturës kërkon minimalisht mbledhjen e 3000 nënshkrimeve, ndërsa ky proces shton ajo do të nisë në mesin e muajit janar.

“ Në secilën prej 12 zonave (qarqeve) zgjedhore të Shqipërisë, qytetarët kanë të drejtën të bëhen bashkë për të propozuar kandidatë nga zgjedhësit. Nëntë qytetarë të një zone zgjedhore kanë të drejtën të çojnë përpara në KQZ kandidaturën për një deputet. Zyrtarizimi i kësaj kandidature bëhet përmes grumbullimit të 3.000 nënshkrimeve, duke nisur nga mesi i muajit janar 2021”, thekson VV-ja.

Ajo thotë mes tjerash se kandidatët në 12 qarqet elektorale mund të jenë ato qytetarë, të cilët nuk janë anëtarë partie, por që pranojnë të bashkohen në ngritjen e një lëvizjeje qytetare, që sipas VV-së synon “çarjen e sitemit bipolar të instaluar në 30 vitet e fundit”. 

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri do të mbështesë të gjithë ata qytetarë, në cilëndo prej 12 zonave elektorale të Shqipërisë, që synojnë ta çojnë përpara këtë alternativë duke krijuar një lëvizje më të gjerë shoqërore. Kandidatët mund të jenë anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! por edhe qytetarë që nuk janë anëtarë e bashkohen në ngritjen e një lëvizjeje e cila e çan sistemin bipolar të këtyre 30 viteve dhe ndërthur çështjen kombëtare me luftën kundër pabarazive ekstreme”, thuhet në njoftim.

Në fund, Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka paralajmëruar edhe një kundërshtim në Gjykatën Kushtetuese të ndryshimeve, që iu bënë ligjit themeltar në muajin korrik me qëllim për të hapur listat.

“Ndryshimet e fundit kushtetuese dhe ato në ligjin për Kodin Zgjedhor janë miratuar dhe imponuar nga shumica aktuale në pushtet me synimin për të favorizuar veten dhe për të penguar demokratizimin e mëtejshëm të vendit. Qendra në Shqipëri do ta sfidojë në Gjykatën Kushtetuese, me synimin për të nxitur e mbështetur kandidatët nga zgjedhësit që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Nuk ka regjim që mund ta ndalë vullnetin e një populli”, thuhet ndër të tjera në reagimin e VV-së.