Shqipëri

Ish-Presidenti Bamir Topi: Politika bën një dëm po aq të madh sa koronavirusi

Këshilli i Lartë Gjyësor shtyu sot vendimin për kreun e KED, Ardian Dvoranin, duke kërkuar opinionin e ndërkombëtarëve. Por si e shikon këtë ish-Presidenti Bamir Topi? Në një intervistë për RTV Ora, Topi drejtoi gishtin nga politika, që sipas tij kur bëhet fjalë për çështje madhore, politika ka bërë po aq dëm sa koronavirusi.

Bamir Topi: Politika shqiptare përgjithësisht kur ka ardhur çështja e gjërave madhore ka bërë një dëm po aq të madh sa koronavirusi. Sot e kësaj dite, pra sot në 5 maj 2020 ke mjaft probleme që kanë të bëjnë me institucione, që nuk janë dhe nga pikëpamja strukturore duhet të ishin. Institucione që janë dhe janë insuficente, nuk janë të plotësuara, duke filluar me Kuvendin. Më dobët, më keq se kurrë. Politika ka lënë shumë gjëra pezull. Duke dashur që edhe unë të informohen më mirë them që në çdo moment që ka problem,e që kontrastojnë me kushtetutën, apriori them që çdo veprim i tillë është gabim. Sepse ka një kushtetutë, ndonëse kushtetutën e kemi arnuar.

Bamir Topi u ndal tek zbatimi i Kushtetutës, ndërsa tha se ngjarjet që po ndodhin tani, ai i ka paralajmëruar që në vitin 2008, kur u bë ndryshimi i Kushtetutës.

Bamir Topi: E mbani mend çfarë kam deklaruar në 2008, në ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Në 21 prill unë kam thënë që ndryshimi i kushtetutës brenda një nate me një vullnet patologjik të dy krahëve të politikës për të dominuar politikisht institucionet do të kishte hiperkusione të kësaj natyre që ne po shohim sot. Duke filluar me zgjedhjet që janë të kontestuara, me zgjedhjet që i kontrollojnë partitë politike. Me një institucion parlamentar të deformuar, nuk është vullneti i njerëzve atje. Për të mos folur pastaj për kualitetin e vendimeve dhe për të mos folur klimën e tmerrshme antidemokratike që ekzistojnë në selitë e partive politike në Shqipëri.