Letra e Biden për Vuçiç, Albin Kurti: Koha të diskutojmë statusin e Serbisë, jo më të Kosovës
Albin Kurti beson se Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës “është një shans i shkëlqyer” për interesat e Kosovës dhe se tashmë ka ardhur koha të mos diskutohet statusi i saj, por kushtetuta problematike e Serbisë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një bisedimi-online me qytetarët, komentoi mbrëmjen e sotme letrën e Presidentit Joe Biden ku shprehte qëndrimin se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të kishte si bazë thelbësore njohjen reciproke.
Kurti e vlerësoi Biden-in si President që mund të ndryshojë shumë gjëra, pasi ndryshe nga Donald Trump, i cili, sipas tij “i shihte çështjet politike nga njësoj si çështjet e biznesit”, Biden e njeh historinë e Kosovës dhe rajonit. Sipas Kurtit ky aspekt mund të ndihmojë Kosovën të “ri-adresojë çështjet e saj historike me Serbinë”.
Ndërkohë për sa i përket letrës, ai vijoi duke thënë se ajo ishte “esenca”.
“[…] tregoi esencën, që marrëveshja me Kosovën për normalizim duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Besoj se kemi ardhur në pikën ku s’kemi pse diskutojmë për statusin e Kosovës, tashmë nëse ka të diskutohet është statusi i Serbisë, problematizimi i kushtetutës së Serbisë, në pikën dy të së cilës thuhet se Kosova është pjesë e saj,” – tha Kurti.