Lëmsh në LDK, e Isa Mustafa këmbgulë për fitore
Derisa në LDK akoma nuk dihet se kush do të kandidojë për të parin e kësaj partie Isa Mustafa, ka gjetur kohë për të folur për zgjedhjet nacionale, duke theksuar se partia e tij është e para në vend dhe e para do të dalë në zgjedhjet e shtatorit, siç ka thënë ai.
Mustafa ka thënë gjithashtu se nuk i merr serioz as të pjekur ata që i dëshirojnë karriga, e mundohen ta ulin atë e partinë e tij.
“Kam pritur dhe pres që edhe kundërshtarët tanë politik të na urojnë punë të mbarë. Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga”, ka shkruar Mustafa në Facebook
Mustafa nuk ka hezituar të përmend se brenda partisë së tij nuk ka “klika”, dhe se pas zgjedhjeve të brendshme ata do të dalin unik. Gjithashtu ka thënë se LDK si parti nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie, si dhe nuk i kanë komentuar rezultatet e zgjedhjeve të tyre.
Ky është shkrimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë
Më 3 gusht të këtij viti, LDK mban Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është një ngjarje e rëndësishme. Është, domosdo, e rëndësishme edhe për Kosovën nga se LDK është parti lidere në vend, jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga mosha demokratike, duke i mbushur sivjet 30 vjet.
Kam pritur dhe pres që edhe kundërshtarët tanë politik të na urojnë punë të mbarë. Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre. Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëritjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brënda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së.
LDK nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për të keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie. Nuk i kemi komentuar as rezultatet e zgjedhjeve të tyre. Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike.
LDK do të dal e fortë dhe unike në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. LDK do të dal e para në zgjedhjet nacionale, në shtator të këtij viti. LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt. Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë. /