Lajme

LDK nuk e pranon se Vetëvendosje fitoi zgjedhjet!

Deputeti i rizgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Haxhi Avdyli, edhe sot ka nisur ditën me reagime kundër LVV-së, parti kjo me të cilën tash e sa kohë kanë nisur negociatat për bashkëqeverisje.

Megjithëse rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV-në e nxori si parti të parë për nga numri i votave, Avdyli nga LDK e cila u rendit e dyta, pohon se nuk ka fitues të zgjedhjeve.

“Nuk ka parti fituese, ka parti që ka dalë e para, e dyta e me rradhë. Partia e parë ka vetëm të drejtën dhe mundësinë për krijimin e koalicionit qeverisës i votuar nga 61 deputetë ne Kuvend”, tha ai, përmes një postimi të publikuar në profilin e tij në “Facebook”.

Megjithëse nga LVV dhe LDK kanë deklaruar se janë pajtuar për planin qeverisës, ndarja e hiseve në ekzekutiv del të jetë problem për krijimin e qeverisë nga këto dy parti. Takimi i fundit ndërmjet krerëve të dy partive, Albin Kurti e Isa Mustafa, u mbyll pa një marrëveshje.