LDK-ja pritet të kthejë Veliun në postin e ministrit, AAK-ja konfirmon emrat për qeverinë që synohet këtë javë
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të vendosë të martën për përbërjen e mundshme të kabinetit qeveritar, që po synon ta formojë me AAK-në, Nismën e minoritetet.
Kjo parti do t’i mbledhë strukturat e partisë dhe Grupin parlamentar, transmeton koha.
Burime brenda LDK-së kanë treguar emrat e mundshëm të ministrave të rinj, por që përzgjedhja e tyre nuk është përfundimtare.
Hykmete Bajrami është propozuar për zëvendëskryeministre.
Agim Veliu i shkarkuar nga kryeministri Albin Kurti pritet të rikthehet në krye të Ministrisë së Brendshme.
Lumir Abdixhiku pritet të jetë shef i dikasterit të financave, derisa Lutfi Zharku ta zëvendësojë atë në postin e ministrit të Infrastrukturës.
Infektologu Valbon Krasniqi është përmendur për ministër të Shëndetësisë, ndërsa Armend Zemaj, ministër i Bujqësisë.
Anton Quni pritet të jetë në të njëjtin post, atë të ministrit të Mbrojtjes, derisa Vlora Dumoshi ministre e Kulturës e Sportit.
AAK-ja ka konfirmuar se Blerim Kuçi, Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj dhe Selim Selimi pritet të jenë pjesë e kabinetit qeveritar të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
LDK-ja që nominoi Avdullah Hotin për kryeministër, nuk e ka dërguar ende te presidenti emrin e tij për dekretim.
Në këtë parti, gjatë ditës nuk kanë pranuar të flasin për këtë dhe bisedimet për koalicion që po i zhvillojnë me AAK-në e Nismën Socialdemokrate.
As presidenti Hashim Thaçi nuk ka publikuar letërkëmbimin me LDK-në, ku kësaj partie i kërkoi kandidatin për kryeministër.
Por partia në pushtet, Vetëvendosje, thotë se mospublikimi i letrës nga presidenti Thaçi po bëhet qëllimshëm.
Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e VV-së, thotë se në momentin që do t’i kenë shkresat dhe dekretin e presidentit që e mandaton LDK-në, do ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka komentuar fare paralajmërimin e LDK-së dhe partive të tjera se do ta votojnë qeverinë këtë javë. Njëjtë ka vepruar edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.