LDK-ja po i pret vetëm 3 vota për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se është çështje ditësh kur koalicioni PAN do të rrëzohet nga pushteti.
Zyrtarë të kësaj partie, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se janë duke pritur momentin më të mirë për ta bërë një gjë të tillë.
Deputeti Naser Rugova ka thënë se tashmë janë mbledhur 58 nënshkrime për mocionin e rrëzimit të Qeverisë së Kosovës.
Rugova nuk është përgjigjur në lidhje me përleshjet me karrige e grushte në kuvendet zgjedhore të LDK-së.
Por, LDK-ja u ndal te gjetjet e raportit të progresit për sektorin e shëndetësisë, ndërsa ka drejtuar kritika të shumta ndaj ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli.
Sa i përket fondit për trajtim jashtë vendit, sipas LDK-së, ai i përmbush kërkesat e pacientëve me vetëm 45 për qind dhe 55 për qind të pacientëve në nevojë për shërbime specialistike detyrohen të paguajnë nga xhepi i tyre.