Largimi i serbëve nga institucionet në veri – Disa kërkuan të kthehen, por ishte vonë
Në nëntor të vitit 2022 dhanë dorëheqje pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës, të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri të vendit.
Dorëheqjet e tyre pasuan pas vendimit të Listës Serbe për largim nga institucionet qendrore të Kosovës.
Këto tri institucione tregojnë se si ka vijuar puna pas dorëheqjes së tyre, si është bërë zëvendësimi dhe a ka pasur rast të ndonjë pjesëtari serb që ka bërë kërkesë për rikthim në punë.
Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano pret rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në këto dy institucione.
Sipas tij, një gjë e tillë është e mundur sepse dorëheqjet e tyre nuk janë pranuar nga KPK dhe KGjK.
“Ky është sërish një vakum që duhet mbushur, nuk mund të lini një territor pa shërbimin e policisë apo pa drejtësi. Pra, natyrisht, tani efekti është që prania e Policisë së Kosovës në veri, përbërja e Policisë së Kosovës në veri nuk pasqyron përbërjen e popullsisë në përqindje. Mirëpo, ne i mirëpritëm dy drejtimet e fundit të kadetëve të rinj që reflektuan në përzgjedhjen e kadetëve që kemi dërguar në veri, pasqyruan më mirë përbërjen e pakicave. Sigurisht, shifrat nuk janë ende të mjaftueshme për të dhënë përqindjen perfekte, por ndoshta jemi në rrugën e duhur për ta zgjidhur këtë aspekt. Problemi është se disa nga këta kadetë kanë vuajtur nga kërcënimet, dhe disa prej tyre vendosën të japin dorëheqje nga Policia e Kosovës. Aspekti tjetër që ka të bëjë me misionin ka të bëjë me dorëheqjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri. Kthimi i tyre është i mundur. Është e mundur sepse dorëheqja e tyre nuk është pranuar nga Këshilli i Drejtësisë së Kosovës dhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Pra, nëse vendosin të kthehen, do të mirëpriten në institucionet e tyre. Dhe ne, sigurisht, presim me padurim një rikthim të tillë”, deklaron ai për Kosova Press.
Gjykata Themelore në Mitrovicë thotë se nuk ka pasur kërkesë për kthim në punë, ndërkohë që mohojnë se gjyqtarët serbë të dorëhequr figurojnë në listën e pagave.
“Ne si Gjykatë nuk kemi pranuar kërkesë të tillë kurse sa i përket çështjes së pagave, është publik reagimi i menjëhershëm i KGJK-së për largimin nga lista e pagave. Dorëheqja ka ndikuar në 2-3 muajt e parë, por më pas jo pasi që Gjykata është ri-organizuar dhe stabilizuar. Nëse bëjmë krahasim të raportit statistikor për lëndët e pranuara dhe përfunduara në vitin 2022, me lëndët e pranuara dhe përfunduara në vitin 2023, rezulton që në vitin 2023 përqindja e përfundimit të lëndëve ka qenë 91%, në krahasim me vitin 2022 që ka qenë 79%”, theksohet më tej në këtë përgjigje.
Numri i gjyqtarëve serbë të cilët kanë dhënë dorëheqje është 24. Gjykata Themelore në Mitrovicë përmes një përgjigje me shkrim thotë se numri total i stafit administrativ të cilët janë larguar nga ky institucion tejkalon numrin 100.
“Numri i gjyqtarëve serbë të dorëhequr me datë 07.11.2022 është gjithsej 24, prej tyre 20 nga Gjykata Themelore Mitrovicë, 2 nga dega Leposaviq, 2 nga dega Zubin Potok, ndërsa numri total i stafit administrativ të dorëhequr është 110. Si masë e parë që Gjykata e ka ndërmarrë është ndryshimi i planit të punës, ndryshim-plan ky i miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me të cilën është bërë ri-organizim i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, duke i bërë lëvizje brenda departamenteve, me qëllim të mbulimit të pozitave boshe. Puna ka vazhduar normalisht, fillimisht me trajtimin e rasteve urgjente (18 raste me masa, 7 kanë patur të bëjnë me veprën penale-Vrasje) si dhe rastet nga divizioni civil (Urdhër mbrojtje)”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.