Lajme

Kusari-Lila afrohet me VV’në, Deda me PSD’në

Janë bërë disa muaj prejse dy bashkëthemeluesit e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila e Ilir Deda, kanë nisur t’i shpërfaqin publikisht pakënaqësitë ndaj njëri-tjetrit.


Së këndejmi, pas këtyre përplasjeve kohët e fundit është parë një afërsi e kryetares së këtij subjekti me Lëvizjen Vetëvendosje dhe një përafrim i Dedës me Partinë Socialdemokrate (PSD).

Derisa Kusari-Lila para dy ditësh mori pjesë në një tubim të organizuar nga LVV-ja në Gjakovë kundër qeverisë aktuale, Deda para pak kohësh vendosi ta mbështesë ekipin negociator, i cili bashkëkryesohet nga kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, me të cilin dikur kishte themeluar partinë Fryma e Re (FER), shkruan “Zëri”.

Se Deda anon politikisht kah PSD-ja pohojnë edhe zyrtarët e kësaj partie, të cilët vlerësojnë se Ilir Deda e ka vendin në PSD.

Ndërkohë, kryetarja e Alternativës ka thënë se i takon Dedës të marrë vendim se çka dëshiron të bëjë tutje, pasi kjo parti do të vazhdojë edhe më tej të funksionojë.

Ndërkaq, gjersa ka folur për pjesëmarrjen në tubimin e LVV-së, Kusari-Lila ka thënë se ky vendim ka qenë në kuadër të bashkëpunimit opozitar për ta ndryshuar gjendjen aktuale në vend.